Largimi i shqiptarëve nga vendi, situata ekonomike dhe korrupsioni janë motivet për të cilat opozita do të protestojë të shtunën kundër qeverisë “Rama”. Gjatë një takimi me Frontin për Shpëtimin Kombëtar, Sali Berisha akuzoi dje qeverinë se përgjatë 9 viteve ka dështuar tu sigurojë qytetarëve një jetë më të mirë, duke i detyruar ata të largohen nga vendi.
“Jemi në një moment kur njësoj si në ‘90-ën kemi pushtuar lajmet si populli i gomoneve dhe zhvillohet një dramë shekspiriane në kanalin e La Manshit ku mijëra shqiptarë largohen për shkak të qëndrimeve, politikave jo humane e antishqiptare të Edi Ramës dhe qeverisë së tij”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, korrupsioni i qeverisë është arsyeja kryesore pse pagat e pensionet nuk janë rritur dhe qytetarët e kanë të vështirë të përballen me çmimet e larta. Ndaj në këtë situatë Berisha ftoi shqiptarët t’i bashkohen protestës së 12 nëntorit.
“Në këto kushte është e vonuar protesta e 12 nëntorit dhe unë kam bindjen më të thellë se vetëm me protesta ne duhet të flasim me këtë qeveri. Kjo gjuhë tjetër nuk njeh, nuk merr vesh, ndaj dhe është thirrur protesta e 12 nëntorit, për të çelë siparin e një përballje të vërtetë me këta qeveritarë të cilët nuk kanë të ndalur”, u shpreh ai. më tej
Berisha theksoi se pa votë të lirë, sipas tij, Shqipëria nuk ka të ardhme.
“Në përpjekjen tonë për ti rikthyer votën shoqërisë shqiptare ne jemi angazhuar në procesin e primareve, në të cilin kandidatët që do të garojnë për qytetarë të parë të bashkive do të zgjidhen nga anëtarët dhe simpatizantët e PD. E shfrytëzoj rastin të ftoj ju, bashkëpunëtorët tuaj, anëtarët e shoqërisë civile të garojnë në këto primare, të kontribuojnë gjithashtu në një proces që është jetik për Shqipërinë. Unë kam bindje më të thellë se jashtë votës së lirë nuk kemi të ardhme. Jashtë votës së lirë kemi vetëm largim nga Shqipëria dhe këtu nuk dihet se kush do të mbetet, ndonjë vend për gjah, apo çfarë të ngelet, por vend për njerëz të lirë këtu nuk do të ketë. Kjo përpjekje që bëhet është jo e lehtë, por është jetike për të mbajtur gjallë votën dhe shpresën e shqiptarëve. Edhe njëherë ju falënderoj dhe të ju dëgjoj bashkërisht për një betejë sa më të fuqishme, sa më të përsosur dhe të qëndrueshme kundër kësaj qeverie”, nënvizoi Berisha.
Diskutime rreth kësaj post