Seanca e sotme e Kuvendit është përfshirë nga debatet për zhvillimet e fundit politike në vend, ndryshimet në qeveri, vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry dhe 25-vjetorin e grevës së urisë së studentëve.
Duke marrë fjalën në seancë ish-kryeministri Sali Berisha komentoi shkarkimin e ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe zëvendësimin e tij me Arben Ahmetajn. Berisha tha se Cani është ‘viktimë e refuzimit të pranimit të skemës së TVSH-së’. Ai u shkarkua se nuk pranoi një akt të madh korruptiv, u shpreh Berisha. Më tej, ai akuzoi ministrin Ahmetaj se me marrjen e detyrës së re do të realizojë aferën e kryeministrit për mbledhjen e TVSH-së. Ai akuzoi Ahmetajn për afera korruptive në ushtrimin e detyrës dhe i bëri thirrje që të japë dorëheqjen. Madje, Berisha i kërkoi parlamentit që të krijojë me urgjencë një komision hetimor për të vërtetuar akuzat e ngritura nga agjenci të huaja të shtypit investigativ.
I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit Ahmetaj, i cili u shpreh i gatshëm të dorëhiqet në rast se ka hedhur dhe një firmë të vetme në kundërshtim me ligjin. “Nëse e provon se unë kam hedhur një firmë në kundërshtim me ligjin apo të kem devijuar para publike çoje në prokurori dhe unë do të jap menjëherë dorëheqjen”, deklaroi Ahmetaj sot në Kuvend.
Ish-kryeministri Berisha përkujtoi dhe grevën e urisë të studentëve 25-vjet më parë dhe rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha. “Studentët do të pushtonin zemrat e shqiptarëve me kauzën e tyre”, u shpreh Berisha. Kjo ditë, tha ai, e shndërroi në opozitë të vërtetë opozitën shqiptare.
Diskutime rreth kësaj post