Përjashtimi nga Partia Demokratike, ka alarmuar ish-kryeministrin Sali Berisha. Që prej së enjtes, sulmet e tij kundër liderit demokrat Lulzim Basha sa vijnë edhe shtohen dhe nuk kanë munguar as dje. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, teksa ka kujtuar edhe 23-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit, Berisha u shpreh se demokratët duhet që të frymëzohen nga trimëria e tij, për t’u ngritur ndaj këtij regjimi.
Ai u bëri thirrje mbështetësve të tij, që të ngrihen për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama dhe liderin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.
“Sot 23 vite pas ekzekutimit të tij, kujtimi dhe vepra e Azem Hajdarit është më frymëzuese se kurrë, mirënjohja e shqiptarëve për birin e tyre që si feniks u ngrit nga hiri dhe u riktheu atyre lirinë dhe dinjitetin e munguar, është më e pakufishme se kurrë. Sot demokratet dhe demokratët, frymëzohen më shumë se kurrë më parë nga trimëria epike, guximi mbinjerëzor i Azem Hajdarit, për t’u ngritur dhe flakur sa më parë në koshin e plehrave të historisë, regjimin e kakistokracisë dhe tradhtisë së lartë kombëtare të Zografit Bis dhe veglës së tij mjerane në krye të PD”, – tha ai.
Ndër të tjera, Berisha shprehet se sot kombi ynë duhet që të përulet me nderimin më të madh dhe mirënjohje për veprën e pavdekshme të Azem Hajdarit të vrarë 23 vite më parë para selisë së Partisë Demokratike. Ai shton, se Hajdari u vra nga falangat terroriste me uniformë të qeverisë, duke e cilësuar hakmarrje ndaj të riut që bëri më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve.
“Azem ti je gjallë! Demokratë, tribuni ynë sot na thërret: Kokën lart! Sot kombi shqiptar përulet me nderimin më të madh, mirënjohjen më të thellë para veprës së pavdekshme të tribunit legjendar të lirisë së tyre, Azem Hajdari të ekzekutuar më 12 shtator të vitit 1998 para selisë së Partisë Demokratike nga falangat terroriste me uniformë të qeverisë së Partisë Socialiste”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post