Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka thirrur ditën e sotme kryesinë e PD-së. Në orën 12:00 Berisha dhe anëtarët e kryesisë do të diskutojnë në lidhje me sesionin e ri parlamentar që nis më 5 shtator. Anëtarët janë njoftuar përmes një mesazhi në të cilin bëhet e ditur se në rend të ditës do të jetë diskutimi i aksionit politik të PD-së.
Sot do të caktohen edhe grupet e punës që do të shpërndahen nëpër zona për të organizuar strukturat e Partisë Demokratike. Një tjetër vendim që pritet të merret sot në mbledhjen e kryesisë së PD-së është edhe miratim i departamenteve pranë PDSHsë sipas sektorëve përkatës. Pika e fundit e rendit të ditës parashikohet që të jetë miratimi i sekretarëve politikë për disa nga degët e partisë demokratike.
Ndërkohë, ditën e djeshme deputetët e Partisë Demokratike që nuk janë mbështetës të Sali Berishës u mblodhën në një darkë. Darka jozyrtare u organizua nga Lefter Gështenja, i cili ftoi kolegët e tij në ambientin e një hoteli në zonën e “21 dhjetorit” në Tiranë. Ftesat ishin për të gjithë deputetët që nuk janë mbështetës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe qëllimi i darkës ishte për të shpëtuar Enkelejd Alibeajn nga shkarkimi si kreu i grupit parlamentar.
Në këtë post, pas zgjedhjeve në selinë blu, është votuar nënkryetari i PD, Luçiano Boçi. Por, edhe pse kanë marrë pjesë deputetë që mund të konsiderohen si ‘asnjëanës’, si Tomor Alizoti, sërish nuk ka epërsi në numra. Kjo pasi në total darkuan 20 deputetë, gjashtë më pak se gjysma e deputetëve të PD-së, numër jo i mjaftueshëm për Alibeajn që të vijojë të mbajë postin si kryetar i grupit parlamentar të PD.
Diskutime rreth kësaj post