Nga protesta e opozitës në bulevard para kryeministrisë, kreu i PD-së, Sali Berisha u shpreh se plot dhimbje e sakrifica të pamerituara kanë qenë për opozitën dhe Shqipërinë 11 vitet e fundit të Rilindjes së Edi Ramës.
Ai shtoi se asnjë shqiptar përveç hajdutëve dhe trafikantëve të Rilindjes, nuk ka shpëtuar pa marrë plagë në shpirt dhe mendje nga dekada e Edi Ramës, dekada e zbrazjes së Shqipërisë.
Berisha theksoi se spastrimi etnik i butë i Shqipërisë po ndodh, sepse Edi Rama vendosi në Shqipëri kushtet e llogaritshme për dëbimin e butë masiv të shqiptarëve nga vendi i tyre.
Berisha: Të dashur qytetarë dhe qytetare, demokrate e demokratë, misionarë të vërtetës të shpresës dhe të ardhmes së Shqipërisë. Të mbledhur sot në Tiranë, nga të katër anët e vendit, nga të katër anët e dheut, diaspora dhe kudo që janë shqiptarët. Një përshëndetje të përzemërt vëllazërore për të gjithë ju. Të dashur miq, plot dhimbje e sakrifica të pamerituara kanë qenë për opozitën dhe Shqipërinë 11 vitet e fundit të Rilindjes së Edi Ramës.
Asnjë shqiptar përveç hajdutëve dhe trafikantëve të Rilindjes, nuk ka shpëtuar pa marrë plagë në shpirt dhe mendje nga dekada e Edi Ramës, dekada e zbrazjes së Shqipërisë. Këto plagë do mbeten përjetë shenja mbi ata që i pësuan. Për shumë familje, kjo plagë ka qenë një familjar që sot do ishte gjallë nëse korrupsioni i Rilindjes nuk do kishte përlarë ilaçet e tyre. Kjo plagë do dëmtojë shëndetin e 47 përqind të fëmijëve shqiptarë që janë të kequshqyer, më keq se ata të Rundës.
Kjo plagë do dëmtojë 15-vjeçarët që sipas PISA-s, kanë zbritur në fund të botës për mendimin e tyre krijues. Kjo plagë ishte një pronë e grabitur, linçim politik nga puna, një fermë apo biznes i falimentuar, ku kishin investuar mundin dhe djersën e gjithë jetës së tyre. Është ajo plagë që kanë të rinjtë, që me gjithë sakrificat e tyre, nuk mund të sigurojnë as edhe një garsionerë për të filluar jetën e tyre. Kjo plagë është sa deti për Shqipërinë që sheh veten të boshatisur në 8 vite nga mbi 1 milion bij dhe bija të saj.
Ky dërrmim u ka vrarë shpresën, u ka shuar çdo ëndërr për Shqipërinë dhe me të drejtë, si mund të kultivohet shpresa kur nuk siguron dot ilaçet për të shpëtuar fëmijët apo prindin e sëmurë. Kur të duhen 109 vite për të blerë në Tiranë një apartament. Kur nuk siguron dot 3 vakte ushqimi për fëmijën tënd. Prandaj shpëtimi i vetëm mbetet largimi masiv nga Shqipëria.
Por siç thotë populli ynë, e keqja nuk ka fund. Shqipërisë i kanoset një kërcënim akoma më ekzistencial, sepse 83 përqind e shqiptarëve që kanë mbetur, duan të ikin. Pra, gjendemi përballë një katastrofe ekzistenciale. Miqtë e mi, spastrimi etnik i butë i Shqipërisë po ndodh, sepse Edi Rama vendosi në Shqipëri kushtet e llogaritshme për dëbimin e butë masiv të shqiptarëve nga vendi i tyre.
Diskutime rreth kësaj post