Kryetari demokrat, Sali Berisha, teksa vizitonte zonat e përmbytura në Kuç në Shkodrës, tha se moti i keq ishte parashikuar. Ai tha se megjithatë, qeveria vazhdoi vjedhjen dhe hapi tunelet dhe turbinat pa njoftuar. Sipas tij, qëllimi i vetëm është vjedhja.
“Mbrëmë jam njoftuar vonë shumë, se këta e hapën tunelin, se e kanë në program pune importin dhe nuk e ndërpresin. Gjithçka diktohet nga vjedhja. Ne e kemi deklaruar shumë herë që energjia është shndërruar në një nga mallrat e vjedhjeve më të mëdha. Kjo ishte absolutisht e parashikueshme, e ndalueshme, nëse do prodhohej energji dhe do ulej niveli.
Energjia nuk kishte nevojë të blihej. Sot po shesin energji, me një çmim katër herë më të ulët se e blejnë, se e kanë kontratat. Janë verbuar. Qeveria ka qëndrim armiqësor të hapur ndaj Shkodrës. Por këtë akt e kanë bërë se janë kapur në flagrancë në një vjedhje të paimagjinueshme. Kanë importuar energji në një kohë kur paralajmëroheshin shtrëngatat. Por këta kanë hallin e parave. Duan të vjedhin paratë,” tha Berisha.
“Nga mbrëmë deri para pak, kanë derdhur 2 mijë metra kub. 1400 a më shumë me turbina. Prandaj kanë bërë këtë përmbytjet ata me këto shkarkime kriminale. Kriminale se ishte e parandaluar. Kur kanë kryer krimin, nuk kanë njoftuar kryetarin e Bashkisë, nuk ju kanë njoftuar juve.
Ata duhej të njoftonin disa orë përpara. Ata kanë hapur portat dhe turbinat dhe kanë përmbytur brenda gjysmë ore në mënyrë të rrufeshme zonën.
Në një kohë kur kryetari i Bashkisë që dje kërkoi që KESH të njoftonte për çdo lëvizje. KESH duhej të njoftonte, ata e kanë detyrim që të njoftonin. E kanë detyrim ligjor. Por ata donin të vidhnin me importin e energjinë. Donin të vidhnin 10 milionë euro në katër ditë,” theksoi Berisha.
Diskutime rreth kësaj post