Ilir Demalia ka folur për arrestimin e ish zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal që ka bërë mjaft bujë edhe në Shqipëri.
Në një lidhje direkte për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Demalia tha se nuk ka një akuzë ndaj kryeministrit Rama dhe e konsideroi debatin që po bëhet për implikimin e mundshëm të Edi Ramës në sponsorimin e sulmeve ndaj opozitës, i “tallava mediatike”.
“Ne interpretojmë mbi interpretimin e asaj që ka hetuar FBI. Ka shumë gazetarë që thonë kemi dosjen, kur nuk është gjë tjetër, thjesht akt-akuzat që janë publike. Sillemi rreth kësaj dhe interpretojmë sipas dëshirave dhe interesave. Ky njeri, McGonigal, akuzën e ka për korrupsion dhe shkelje të normave etike të punës, që nuk ka lajmëruar. Nuk ka nevojë të humbim kohë të interpretojmë këtë, që është publike.
Edi Rama ka një mijë e një gjynahe, por në këtë rast Rama nuk është i akuzuar. Ku është i akuzuar Edi Rama?
A ka pritur Berisha Tom Ridge dhe i ka bërë favore? A ka patur në mbledhje të sigurisë kombëtare, Damir Fazlic? Nëse do të përdorim letrat, për hir të bandave politike, si gazetari nuk mbërrijmë asnjë rezultat. Mendoj se duhet t’ju referohemi letrave. Të presim hetimin.
Problemi është i burimit të 225 mijë dollarëve. Ato i ka dhënë Agron Neza. Kur Berisha thotë se nuk e njeh Agron Nezën, ai e njeh sepse njeh Bajram Nezën, babain e tij dhe ka patur lidhje miqësie.
Nuk ka asnjë fakt që këto para janë dhënë për të goditur Lulzim Bashën. Këto para janë dhënë për të bërë biznes dhe për të marrë përfitime nëpërmjet influencave.
Agron Nezaj është në Tiranë dhe mendoj se Agron Nezaj do të merret në Amerikë dhe të tregojë burimin e parave. 250 mijë dollarë, përvec burimit ka edhe evazion fiskal. Nëse ia ka dhënë Edi Rama, të deklarojë se ia ka dhënë Edi Rama.
Nuk duhet të futemi në tallavë e politikës shqiptare dhe medias që i shërben njërës palë dhe tjetrës palë”, deklaroi Demalia.
Diskutime rreth kësaj post