Ish-kryeministri i Shqipërisë, njëherësh ish-president i vendit, Sali Berisha, i është përgjigjur presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pas ftesës së tij për një debat publik mes tyre.
Thaçi ka kërkuar të enjten ballafaqim televiziv me Berishën, pasi ish-udhëheqësi i Shqipërisë javëve të fundit ka paraqitur një sërë argumentesh kundër idesë së presidentit kosovar për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
E, në një prononcim ekskluziv për Gazetën Express, Berisha ka bërë të ditur se e refuzon ftesën e Thaçit për debat televiziv me të.
Teksa ka thumbuar Thaçin, Berisha ka thënë se më përpara do të dilte në debat me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Udhëheqësin serb, Berisha e ka cilësuar “patron” të Thaçit.
“Po të jetë për debat, para një argati shqipfolës albanofob, dhe një patroni të tij në Beograd, për ballafaqim do të preferoja këtë të fundit”, ka deklaruar Berisha për Gazetën Express.
“Këtë e kam shprehur edhe më parë”, ka thënë ish-udhëheqësi shqiptar.
Gjatë një interviste në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, muajin e kaluar, Berisha e kishte sulmuar ashpër Thaçin për idenë e tij për kufijtë.
Berisha kishte vlerësuar se plani i Thaçit për kufijtë parasheh ndarjen e Kosovës.
Ai kishte thënë po ashtu se Thaçi po i ndjek planet e Serbisë për Kosovën.
Ish-udhëheqësi shqiptar kishte deklaruar në T7 se më përpara do të takonte një serb, sesa Thaçin. /Express
Diskutime rreth kësaj post