Nga Flogert Muça*
Kur dukej sikur kriza politike s’po gjente dot zgjidhje edhe prej mungesës së përgjigjes nga ana e Bashës për një takim me Ramën, sinjalin e parë nga opozita e ka lëshuar lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Sot nga çadra të cilën Berisha e ka braktisur dhe që e përdor vetëm për të mbajtur fjalimin e munguar të së enjtes në Parlament, ai ka bërë një hap prapa në kërkesat e opozitës. Sot Berisha ka bërë një hap drejt Kushtetutës, kur tha se “qeveria Rama duhet të rrijë deri në 18 qershor në pushtet”. Pas kësaj fjalie natyrisht që Berisha shtoi edhe “qeverinë teknike”, sepse nuk mund ta thoshte përnjeherësh që PD duhet të tërhiqet nga kërkesat absurde për shkeljen e Kushtetutës për kapriçot e saj. E gjitha kjo jo sepse Berisha është ndonjë dashnor i madh i Kushtetutës, pëkundrazi është shkatërruesi dhe shkelësi më i madh i saj, por lepuri fle gjetiu. Por, gjithësesi thelbi i asaj që tha Berisha sot është shumë domethënës.
Ai sot u tërhoq sepse ka frikë dhe e di fort mirë se e kundërta do të ishte shkatërrimin final i PD-së. Berisha e hodhi në erë Bashën, teksa ky i fundit përgatitej të negocionte me Ramën. Berisha ja rrëzoi të gjithë skenarët Bashës, sepse ai e di fort mirë se mospjesmarrja e PD-së në zgjedhje është vetëvrasje për PD-në. Ai e di poashtu se zgjedhjet nuk mund të shtyhen edhe pse e artikuloi për kortezi të atyre që kishte rreth e qark. Ai e di se qeveria nuk mund të zhbëhet se kështu do PD, as nga presionet e Bashës e Nikut. Mbi të gjitha, më shumë se Berishës nuk i dhimbset askujt brenda asaj partie PD-ja. Sepse, mir-keq, ajo parti dhe Sali Berisha janë e njëjta gjë.
Kjo në fakt ishte një gjë e pritshme nga Berisha i cili ka artikuluar gjithë kohës që Basha delironte në çadër, se PD do të hyjë në zgjedhje. Poashtu ai pas një takimi që pati me ambasadorin Lu para pak ditësh, në njoftimin për mediat nuk citonte askund fjalët “qeveri teknike” apo “shtyerje të zgjedhjeve”. Sepse ai ka frikë dhe e di fort mirë se kjo nuk është thjeshtë anti-kushtetuese, por ç’është më e rëndësishmja, është e pamundur dhe e papranueshme nga Rama. Ndaj ai sot i dha një shuplakë Bashës dhe hodhi në erë negociatat e tij me Ramën.
Deklarata e Berishës sot ishte nga ato që japin mesazh të qartë për politikanët që luajnë kartat. Doktori ka qenë dhe është edhe vetë i tillë dhe si i tillë, e nuhat rrezikun që mund të sjellë amatorizmi i Bashës, i cili mesa duket i ka dalë nga zemra.
Të detyrosh të fusësh opozitën e Bashës në zgjedhje është ç’njerëzore, sepse nuk ka asnjë alternativë për t’i ofruar publikut dhe e ka humbjen të sigurtë si vdekjen, por gjithësesi Berisha e di se kjo është më mirë se asgjesimi final i PD-së me bojkot zgjedhjesh. Ndaj dhe sot nuk ja përtoi duke folur si një kryetar partie, të cilit i dhimbset partia.
Mesazhi i Berishës sot mbetet gjithë ditën një hap drejt Kushtetutës dhe shumë hapa më afër hyrjes në zgjedhje të PD-së. Dhe kjo, jo sepse Berisha është dashnor i Kushtetutës, por sepse është padyshim njeriu që i dhimbset më shumë se kujtdo Partia Demokratike. E cila në dorën e të rinjve që e ka lënë, po bën çdo ditë e më tepër poshtë e më poshtë, duke rrezikuar seriozisht asgjesimin e saj përfundimtar. Sot ai Bashën e rrëzoi përfundimisht, teksa ky i fundit po përgatitej të negocionte me Ramën.
Diskutime rreth kësaj post