Ish kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli nuk shprehet i keqardhur nga ana politike, për situatën në të cilën ndodhet ish kryeministri Sali Berisha, teksa GJKKO pritet të vendosë më 30 dhjetor për arrestimin e tij.
Në emisionin “Zonë e Lirë’ në ABC News, Kadilli deklaroi se demokratët dhe shqiptarët kanë mbetur pa opozitë pjesërisht prej tij.
Kadilli nënvizoi se ka kontakte me të dyja palët e Partisë Demokratike dhe shtoi se qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar, e mbetet kritik ndaj Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.
“Unë kam mbetur në kontakt sistematik me të dy palët e e Partisë Demokratike, nuk kam ndryshuar qëndrim. Jam në komunikim me njerëz që janë rreshtuar me doktorin dhe me njerëz që janë me partinë zyrtare. Ftesa kam pasur nga të dyja krahët. Nuk është ftesë, nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që unë jam kritik. Tema e sotme është Berisha. Pse nuk është Basha? Se nuk ka ngjarje. Në të njëjtën mënyrë jam kritik edhe me të. Ka lënë vakum në politikë. Nga ky moment e mbrapa, Lulzim Basha nuk ka bërë asgjë, asnjë betejë për këto. Unë vetë jam kritik totaliaht, sepse kur shpall 3 qëndrime dhe nuk bën asnjë betejë, ke shpallur vakum, e lë bosh territorin. Nëse ta zë hapësirën tjetri, nuk je i zoti të krijosh hapësirën tënde. Ai ka adoptuar atë mentalitetin, ulu pranë lumit, se uji sjell kufomën e armikut. Në politikë askush nuk fiton duke ndenjur.
Edhe në politikë, më mirë të bësh politikë të keqe, se hiç politikë. Unë e kritikoj Berishën se ka politikë të keqe. Njerëzit preferojnë më mirë një politikë të keqe nga Berisha, se sa hiç politikë nga Basha. Për anën njerëzore po, për anën politike jo. Më vjen keq për demokratët, shqiptarët që kanë ngelur pa opozitë pjesërisht nga Sali Berisha”, theksoi ai.
Diskutime rreth kësaj post