Thellohen divergjencat mes kreut demokrat Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Rreshtimi i presidentit Ilir Meta krah opozitës duket se ka ndarë palët në PD. Lideri Basha duket se nuk është në linjën e kreut të shtetit, ndërsa ish-kryeministri është totalisht në emërues të përbashkët me Metën. Presidenti po tenton të krijojë një klime tensioni para zgjedhjeve dhe ajo që bie në sy është se Basha nuk e mbështet, por nuk ndodh kështu me Berishën.
Dje kreu demokrat ishte në Shkodër ku u distancua nga përplasjet në Elbasan sa u shpreh se koalicioni i djathtë do të qeverisë vendin. Kreu i PD nuk e përmendi LSI dhe frika më e madhe e presidentit është rreziku se do e lënë jashtë qeverisë. Elementi i parë është që PD synon të kapë vetë 71 mandate ndërsa elementi i dytë ishte ai i qeverisjes PD-PS. Basha e përjashtoi si mundësi këtë të fundit, por duket se LSI dhe presidenti nuk ia kanë besën. Ditët e fundit Meta dhe mediat pranë tij i kanë dërguar mesazhe të shumta Bashës ku në vija të përgjithshme kërkojnë të jetë besnik ndaj LSI.
“Nuk ka asnjë shans që shqiptaret të bëjnë atë që do bëjnë në një shoqëri normale. Edi Rama do të largohet PD dhe koalicioni ynë do të qeverisë vendin. Nuk ka shqiptar që nuk e di se kush i ka varfëruar. Edhe këto ditë të fundit ai vazhdon të bashkëpunojë me kriminelët. E patë çfarë ndodhi në Elbasan. Nuk hyn në qytet pa bandat. Ekipi ynë është i fitores. Janë njerëz me integritet të jashtëzakonshëm. Rama kudo ku ka vënë dorë ka vënë dorë vetëm për të mbushur xhepat e miqve të tij. Garantët janë bandat dhe institucionet e kapura”, – u shpreh Basha.
Fakti që Basha flet vetëm për koalicionin e PD shton sinjalet se PD pret ta bëjë e vetme qeverinë, duke nxjerrë jashtë loje LSI.
Berisha rreshtohet në krah të Metës
Por teksa Basha është distancuar nga Meta, në krah të këtij të fundit ka dalë ish-kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit e ka mbështetur presidentin për përplasjet fizike që ndodhën te selia e FRD, duke deklaruar se kreu i shteti ka qenë në përputhje me Kushtetutën.
“Mendoj se në një vend ku ligji dhe shteti ligjor janë zëvendësuar me rregullin e mafies dhe të krimit, Presidenti nuk kishte alternative tjetër për tu dëshmuar shqiptarëve se në një mënyrë banditeske po dhunohej Kushtetuta, po dhunohej pluralizmi duke shkelur çdo lloj rregulli të një shteti. Presidenti nuk shkoi aty për një betejë fizike, por shkoi për t’u thënë shqiptarëve çfarë degradimi ka pësuar Rama dhe Veliaj. Të dërgosh bandën pa vulë pa firmë dhe pa asgjë do të thotë që ti je kryetari i saj. Reagim i Presidentit ishte në përputhje me ligjet”, – u shpreh Berisha.
Nga ana tjetër ai u ndal dhe te përplasjet në Elbasan, ku njësoj si presidenti edhe ai foli për gjakderdhje, ku i çoi mesazhe dhe Bashës.
“Zoti Basha po bën një fushatë shumë të mirë, lidhur me aktin kriminal të Elbasanit Basha ka bërë disa deklarata nga më të fortat. Ai akt ishte një nga më të shëmtuarit në zgjedhje, Edi Rama mund të kishte krijuar dhe gjakderdhje”, – tha Berisha.
Nga ana tjetër ish-lideri demokrat i dërgoi një tjetër mesazh Bashës, ku e bëri të qartë se nuk mund të ketë bashkëqeverisje mes PS dhe PD pas zgjedhjeve.
“Partia Demokratike do i fitojë këto zgjedhje, Edi Rama nga Kamza deri në Valbone dhe Vermosh, nga Tirana deri në Konispol, nuk e voton asnjë patriot shqiptar. Për urrejtjen ndaj veriut për urrejtjen ndaj Kosovë, për varfërimin ekstrem. Unë pres që Shqiptarët sloganin “Rama ik” të zëvendësojnë me sloganin “E keqja ik””, – tha Berisha.
Diskutime rreth kësaj post