Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që vendosi rrëzimin e qeverisë Hoti, ka ardhur reagimi i fortë i kreut të partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima. Përmes një postimi në rrjetet sociale këto zhvillime të fundit, Kokëdhima i cilëson një lajm të mirë për Kosovën.
Komenti i plotë:
“Një lajm i mirë për Kosovën dhe akuzues për elitën tonë politike
Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për ta cilësuar të pavlefshme votën vendimtare për mandatimin e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti, më 6 qershor 2020, është një lajm i mirë për Kosovën. Rrëzimi i kabinetit “Hoti” dhe shkuarja e Kosovës sërish në zgjedhje brenda 40 ditëve, është fundi i vonuar, por i merituar i autorëve të puçit antikushtetues, politikanëve të shitur kosovarë dhe ambasadorëve të huaj, që larguan kryeministrin Albin Kurti nga drejtimi i një koalicioni qeveritar, i cili pasqyronte vullnetin e zgjedhësve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet e tetorit 2019.
Rrëzimi i kabinetit qeveritar të drejtuar nga Vetëvendosje dhe zëvendësimi me një koalicion partish që thjeshtë bënë pazar mandatesh, ishte një tjetër akt i papërgjegjshëm dhe trashanik i elitës politike, që e turpëroi edhe më shumë Kosovën dhe kombin tonë në sytë e botës.
Fakti se vendimi i Gjykatës Kushtetuese arrin të rrëzojë qeverinë tregon se pushteti juridik funksionon në Kosovë, edhe pse është shtet i pavarur vetëm prej 12 vitesh. Ky është një lajm i trishtë për rënien dhe kapjen e demokracisë në Shqipëri, si dhe akuzues për elitën e korruptuar politike që e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë prej gati tre vitesh.
Ultimatumet e ambasadorokracisë, frymëzuese dhe mbështetëse e “Reformës në drejtësi” për ta ngritur Gjykatën Kushtetuese brenda këtij viti janë tregues i dështimit të reformës që ka zhgënjyer jo vetëm publikun, por edhe sponsorët financiarë dhe mbështetësit politikë të një puçi antikushtetues të Rilindjes dhe SHQUP-it së bashku, që ka rrëzuar pushtetin juridik në Shqipëri, me qëllimin e mbrapshtë që elita e vjetër të ruajë të pacënuar pushtetin që i ka grabitur sovranit dhe të mos ndëshkohet për krimet penale, ekonomike dhe politike që ka bërë e bën në kurriz të shqiptarëve.”, – shkruan Kokedhima.
Diskutime rreth kësaj post