Segmenti rrugor Shijan-Ura e Gajdarit, i cili është vazhdimi i aksit Kardhiq-Delvinë, i është nënshtruar një rehabilitimi të plotë, për ta kthyer atë në parametrat e duhur.
Punimet, të cilat kanë të bëjnë me zgjerimin, asfaltimin dhe rritjen e parametrave të sigurisë në këtë segment, janë drejt përfundimit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, ndoqën nga afër ecurinë e punimeve, ku po punohet paralelisht me asfaltimin, ndërtimin e tombinove dhe shtratin e rrugës, për të bërë të mundur përfundimin në afat.
“Kemi të bëjmë me një zgjerim të rrugës ekzistuese, nga një rrugë që ishte 6 metra e kemi në një rrugë me 10.5 metra, për t’ju përshtatur kategorisë së që është edhe rruga Kardhiq-Delvinë. Gjithashtu, përveç kësaj kemi bërë edhe rregullimin e kthesave dhe devijimin e disa pjerrësive të mëdha që kemi në zonën para se të hyjmë në Qafë Gjashtë në Sarandë”, bëri të ditur kreu i ARRSH.
Pjesë e këtij projekti është edhe ndërtimi i segmenteve rrugore, Ura e Gajdarit-Ura e Kranesë dhe Ura e Kranisë-Qafë Botë, duke bërë të mundur përmirësimin e aksesit me pikën kufitare të Qafë Botës.
Ministrja Belinda Balluku, tha se është e rëndësishme jo vetëm ndërtimi i akseve rrugore kryesore, por edhe lidhja e tyre me segmentet e tjera për të bërë të mundur lidhjen e të gjitha zonave.
“Të gjitha veprat e mëdha, të cilat ne po ndërtojmë në të gjithë vendin, kanë gjithmonë dhe një pjesë të mirë studiuar përsa i përket lidhjeve, qoftë me fshatrat apo zonat e tjera rurale, për shkak të zhvillimit të agrobiznesit kohët e fundit, ose edhe me pikat kufitare shumë të rëndësishme për t’u dhënë mundësi të gjithë vizitorëve për hyrje të shpejtë në Shqipëri apo edhe udhëtarëve shqiptarë që dalin nga territori. Kështu që çdo projekt i madh, ashtu siç është ai i Kardhiq-Delvinës ka edhe pjesët plotësuese për ta bërë funksionale në të gjithë territorin”, u shpreh Balluku.
Ashtu siç është vepruar edhe me akse të tjera të rëndësishme për sezonin turistik, edhe segmenti Shijan-Ura e Gajdarit do të jetë gati për qarkullimin e mjeteve brenda muajit qershor, ndërsa shtresa e fundit e asfaltit dhe elementët e tjerë të sinjalistikës, do të përfundojnë në muajin tetor të këtij viti.
Diskutime rreth kësaj post