Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptare, Evis Berberi, inspektuan nga afër punimet për ndërtimin e aksit rrugor Orikum-Dukat, vijojnë në të gjithë gjatësinë e tij.
Në zonën e Orikumit, ku edhe nis ky aks, janë duke u hedhur shtresat asfaltike për të mos penguar qarkullimin e automjeteve, ndërkohë që edhe në zonën e Dukatit, punimet nuk do të krijojnë shqetësime për drejtuesit e mjeteve që do të udhëtojnë drejt bregdetit të Jugut.
Deri më tani janë realizuar 34% e punimeve, ndërsa aktualisht po punohet në katër fronte.
Drejtori i ARRSH, bëri të ditur detaje sa i takon ritmit të punimeve.
“Jemi duke punuar paralelisht në 4 fronte, pasi për përshpejtim punimesh kemi zgjedhur që ta ndajmë këtë segment në katër segmente më të vogla, në mënyrë të tillë që të punojmë paralelisht në disa fronte. Kemi pasur tipologji të ndryshme punimesh. Deri më tani kemi arritur në 34% të punimeve të ndërtimit të kësaj kontrate. Parashikimet janë të mira. Jemi duke ecur me ritme të kënaqshme dhe besojmë që për sezonin veror do të kemi të paktën kilometrat e para të asfaltuara deri në daljen e kthesës së gjurmës së re”, deklaroi Berberi.
Ministrja Balluku, kërkoi që punimet për ndërtimin e këtij aksi rrugor të mos krijojnë pengesa për qarkullimin e automjeteve, veçanërisht gjatë sezonit veror, ku pritet nje fluks i lartë pushuesish vendas dhe te huaj.
Balluku tha se po ashtu gjatë fundjavës, kur fluksi i automjeteve që i drejtohen bregdetit të jugut është më i lartë, duhet të evitohen punimet të cilat mund të krijojnë trafik të automjeteve.
“Nuk duhet të harrojmë që në sezonin e verës ne kemi problematikën e trafikut të rënduar dhe sigurisht nuk duam që të shqetësojmë të gjithë shoferët edhe të gjithë vizitorët. Kështu që gjatë sezonit veror përsa i përket kësaj vepre do të punohet vetëm në gjurmën e re, pra vetëm në ndjekjen e shtratit të lumit edhe në 3 kantieret e tjera që janë funksionale”, nënvizoi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, u shpreh se bypass-i i Vlorës, si dhe segmentet e aksit Orikum-Dukat, që janë pjesë e rrugës ekzistuese, duhet të jenë gati dhe të hapura për qarkullimin e automjeteve me fillimin e sezonit turistik.
“Në këto momente jemi duke ecur shpejt për të mbyllur me shtresën e konglomeratit deri në fillimin e pjesës së gjurmës së re, që siç the, ndjek gjurmën e lumit, pra shtratin e lumit. Të gjitha këto së bashku, pra bypassi i Vlorës, pjesa e gjurmës që ne po inspektojmë sot edhe ai bypassimi i vogël që kemi bërë në hyrje të tubave të tunelit, do të jenë të gjitha gati për të qenë në përdorim të qytetarëve dhe të vizitorëve të jugut duke filluar nga java e parë e korrikut”, u shpreh Balluku.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e kompanisë garantuan se gjatë sezonit punimet e Orikum-Dukat, do të fokusohen tek gjurma, duke mos krijuar kështu asnjë problematikë për qarkullimin e automjeteve.
Diskutime rreth kësaj post