Deputeti i PD, Belind Këlliçi ka folur për skandalin e publikuar nga Fiks Fare ditën e djeshme, ku tregohej se një gazetare e emisionit investigativ ka shkuar për të plotësuar formularin për Kuvendin Kombëtar në Sarandë.
Këlliçi e ka konfirmuar se ka ekzistuar një gjë e tillë, por citon Floriana Garon se formulari nuk është dorëzuar tek Edi Paloka. Nga ana tjetër tregon se ka pasur shumë raste të tilla, por është bërë verifikimi dhe kushdo që ka nevojë për detaje, është i lirë që të bëjë verifikime.
Këlliçi: Për të shuar çdo dyshim të tillë, edhe të këtyre rasteve, Paloka si personi që ka marrë në dorëzim këto 4200 firma, ka rreth një javë që bën thirrje publikisht e zyrtarisht në media, të dyja palëve të caktojnë një përfaqësues dhe të vijnë të verifikojnë formularët. Ajo çka unë di është një deklaratë publike sot e Floriana Garos që formulari në fjalë, pasi është verifikuar, nuk është dorëzuar tek Paloka.
Jua garantoj që ka pasur shumë raste demokratësh që kanë ardhur vetë, me vullnetin e tyre për të firmosur dhe pasi është bërë një verifikim, i është thënë që mund të keni dëshirë, por nuk jeni pjesë e trupës, e cila është legjitime për të shkuar në Kuvend Kombëtar. Prandaj kërkohet verifikimi dhe të bëhet transparent procesi.
Diskutime rreth kësaj post