Një gjykatë belge vendosi këtë të enjte se, i dyshuari i sulmeve terroriste të Parisit, Salah Abdeslam, mund të ekstradohet drejt Francës. Lajmi konfirmohet nga prokurorë federalë të Belgjikës.
Një prej avokatëve të Abdeslamit tha më herët gjatë ditës se, Abdeslami kishte hequr dorë nga kundërshtimi i ekstradimit për në Francë, si dhe se kishte ofruar sërish të bashkëpunonte me autoritetet franceze.
“Salah Abdeslam kërkon të transferohet në Francë për t’u hetuar”, tha Cedric Moisse për reporterët e pranishëm. “Ai dëshiron të bashkëpunojë me autoritetet franceze”.
Prokurorët thanë se Franca dhe Belgjika duhet të diskutojnë tashmë mënyrën sesi do të procedohet transferimi i të dyshuarit në fjalë.
Pas arrestimit të tij më 18 mars, 4 muaj pas sulmeve të ndërmarra më 13 nëntor në Paris, ku mbetën të vdekur 130 persona, Abdeslam zgjodhi t’iu përgjigjej disa pyetjeve të hetuesve, por më pas kërkoi të shfrytëzonte të drejtën e tij për të heshtur, pas sulmeve vdekjeprurëse në Bruksel të 22 marsit.
Hetuesit besojnë se sulmet në Paris dhe Bruksel janë ndërmarrë nga militantë të të njëjtit rrjet të Shtetit Islamik.
Diskutime rreth kësaj post