Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, ka reaguar pas takimit me deputetin grek Angelos Syrigos dhe ka zbardhur çështjet e diskutimit mes tyre.
Në një reagim në ‘Facebook’, Beleri shkruan se i ka kërkuar Syrigos që t’i përcjellë mesazhin e tij kryeministrit grek, duke i thënë se është kërkesë e të gjithë popullit të Himarës që të marrë drejtimin e Bashkisë.
Gjithashtu, Beleri thotë se duhet të ndalin grabitjen e pronave të komunitetit grek në Himarë.
“Falënderoj nga zemra profesorin, deputetin e Demokracisë së Re dhe mikun tim të ngushtë, z. Angelos Syrigos, i cili më vizitoi në burgun e Tiranës, i dërguar i Kryeministrit Grek, z. Kyriakos Mitsotakis. Nga z. Angelos Syrigos kërkova që t’i transmetojë Kryeministrit të Greqisë vendimin tim, i cili është kërkesë e të gjithë popullit të Himarës, për të marrë menjëherë detyrën si Kryetar i Bashkisë për të ndaluar grabitjen e pronave të komunitetit grek.
Përgatitën një ligj që supozohet se kishte për qëllim zhvillimin e zonës duke tërhequr kapitale të huaja. Deri më sot as edhe një i huaj nuk ka investuar në zonën tonë. Të gjithë ata që janë shpallur investitorë strategjikë janë që të gjithë shqiptarë me lidhje me pushtetin. Qëllimi ynë është, gjithashtu, të jetojmë në një shtet demokratik ku nuk ka dallime për përkatësinë etnike të shtetasve të vet dhe të ndalojnë politikat e shantazhimit të popullsisë”, shkruan Beleri.
Beleri thotë se pret që të zgjidhet menjëherë kryetar i bashkisë, si edhe pret që të lirohet nga burgu duke i konsideruar akuzat të padrejta dhe qesharake.
“Z. Syrigos i thashë se pres tre gjëra: – të betohem menjëherë si kryetar i bashkisë, populli i së cilës më zgjodhi.
– të lirohem nga burgu, në mënyrë që të mundem të ushtrojë detyrën time si kryetar bashkie.
– të rrëzohet akuza e padrejtë, qesharake, tendecioze dhe e pabazë që është ngritur ndaj meje.
Në personin e Kryeministrit Grek falenderojmë Greqinë që lufton krah nesh për të siguruar të drejtat tona njerëzore”, shkruan Beleri.
Ky reagim i Belerit, vjen një ditë pas takimit me deputetin grek, ndërsa ky i fundit tha në një një prononcim për mediat se ky qëndrim i drejtësisë shqiptare, do të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe por edhe në integrimin e Shqipërisë në BE.
Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota.
Por, Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet nuk i dhanë leje për të kryer betimin.
Diskutime rreth kësaj post