Fredi Beleri i është përgjigjur reagimit të sotëm të kryeministrit Edi Rama për tubimin e së hënës në Himarë. Në përgjigjien e tij nga burgu, Beleri thotë se ai është zgjedhur me vullnet të lirë nga populli për të drejtuar bashkinë e Himarës dhe se i tillë duhet ta ushtrojë siç duhet detyrën e tij. Më tej në reagimin e tij shkruhet se gjykatat në vend duhen lënë të bëjnë punën e tyre të pavarur.
Reagimi i plotë:
“Duke falenderuar të parët votuesit e mi dhe më tej miqtë e mi për mbështetjen e tyre ditën e djeshme, dua t’i kthej një përgjigje të shkurtër Kryeministrit të vendit tim që megjithë angazhimet e tij me miqtë mezi priti të zbardhte dita dhe të jepte komentin e tij për protestën e djeshme në Himarë. Vendimet e gjykatave ‘të reformuara’ është e vërtetë që nuk komentohen, por nuk mund të deklarojë që këto gjykata e prokurori janë të pavarura prej tij. Në çdo rast, para se të arrestohej një prej të tijve, kryeministri e ka ditur para, dhe e ka shkarkuar apo larguar nga karrikja ngjitur tij, gjithë publiku i di rastet, para se të arrestohen të tijtë, merret leje dhe i jepet kohë të bëjë deklaratat justifikuese paraprakisht, përgjegjësia është individuale.
Është e vërtetë që shumë nga të zgjedhurit dhe miqtë e tij janë në burg sot, por asnjë prej tyre për krime zgjedhore, por për krime që kanë të bëjnë me shpërdorime fondesh publike në përmasa gjigande, që çuditërisht i bënin pa ditur gjë Kryeministri, megjithëse ka qenë në karriken ngjitur me ta kur hidheshin firmat. Për krime zgjedhore jam i vetmi i arrestuar në 33 vjet. Në 33 vjet që kemi dëgjuar për krime zgjedhore, vetëm një grek është arrestuar dhe vetëm një grek që publikisht është cilësuar nga kryeministri si armiku i tij personal, mbahet në burg. Të gjithë i kemi dëgjuar regjistrimet e dosjes së Dibres dhe Durrësit, deri në Gjermani kanë shkuar, por asnjë prej atyre që u dgjuan nuk është arrestuar, por janë ngritur në detyrë, një minister madje. Edhe Erdogani si ju flet për Drejtësi të Pavarur. Dhe është ankuar se Amerika dhe Europa ndërhyjnë në punët e gjyqësorit Turk.
Edhe Erdogani mbahet si kampion demokracie që nuk ndërhyn në sistemin e drejtësise!! Edhe në diktaturë me vendime gjykate përndiqnin kundërshtarët politikë paraardhësit Tuaj, Z.Kryeministër!
Sa për pronat e bregut, nuk fshihesh dot pas gishtit, që ia drejton gjithkujt, vetëm nga vetja nuk e kthen z. Kryeministër, punonjësit e tu në kadastër i detyrojnë pronarët e ligjshëm t’u shesin pronat që t’ua regjistrojnë. Të të kujtoj një shokun tënd që shkarkoi 5-6 shefa kadastre në Vlorë që të mos i regjistronin pronën të zotit se e kishte piketuar ai për investime strategjike. Sa për lirinë e shprehjes që himariotët ushtruan dje, nuk na e keni dhënë Ju z.Kryeministër, por ka lindur me ne dhe është mbrojtur me gjak. Të mburresh në 2023, kur komunizmi ka rënë prej 33 vitesh, se po na lënë të shprehemi lirshëm, është arrogancë. Natyrisht neve vetëm të shprehemi na ka mbetur, dhe do presim me durim që drejtësia e “pavarur” nga Ju të flasë fjalën e saj, por kjo çështje nuk mbaron këtu, tek gjykatat e kryeministrit. Populli ka folur z.Kryeministër, lëre të zgjedhurin të bëjë punën e vet, kapërdije mospëlqimin, dhe lëri gjykatat të flasin, pa u thënë ti që “provat aty duhet të jenë” dhe se “janë ‘të pavarura’. Drejtësia vonon po nuk harron!!!“- shkruan ai.
Diskutime rreth kësaj post