Leximi i teksteve letrare për studiuesit për shumë shkaqe nuk ka vëmendjen, që duhet. Përballë asaj që haset sot në tekstet letrare, studiuesi Behar Gjoka shprehet se është koha që të kthehemi në letërsi dhe në analizën e tekstit. Studiuesi Gjoka rendit disa pika për çfarë ndodh sot me tekstin letrar, ku sipas tij sot kemi dhe leximin, që mund të mos ketë fare lidhje me autorin.
Reagimi i Gjokës:
“Leximi si një mungesë e trajtimit të teksteve letrare si të tilla, në letrat shqipe. Për shumë shkaqe, ngjet kështu, e midis të cilave, do të veçoja: Lexim i kopertinës ose fotografisë së autorit. Lexim biografik dhe antibiografik, gjithnjë i biografemës së autorit. Lexim, kinse akademik, ku ngjishen gjithë teoritë e botës, të cilat edhe mundet të mos kenë lidhje fare me autorin dhe tekstin, që është marrë në analizë, si një lëngatë citomanie, që mbulon pamundësinë për të depërtuar prapa tekstit, dhe megjithatë teksti nuk duket asgjëkundi, si trajtë interpretimi, pra si metatekst”, shprehet studiuesi Behar Gjoka, për çfarë ndodh sot me tekstet letrare.
Ndër tjera problematika, sipas studiuesit Behar Gjoka ndeshet dhe ajo ku asgjë nuk është e kthjellët në marrëdhënien me letërsinë. Por studiuesi Gjoka shton se kemi dhe leximin, ku një autor e shohin si gjeni. “Lexim gazetaresk, ku edhe pa e lexuar deri në faqen 3, te një tekst, shihet një kryevepër, e autori si gjeni. Lexim mungesor, ku harxhohet bojë dhe letër, duke u marrë me papraninë e letrares, në disa libra të botuar nuk dihet se ku, që në fakt është humbje kohe dhe harxhim energjish. Lexim rrumbullakosës, ku secilit autor, apo tekst, i vishet kostumi që mendon lavruesi i metateksteve kritike dhe studimore, pak nga të gjitha, e asgjë të kthjellët në marrëdhënie me letërsinë”, shprehet studiuesi i njohur në reagimin e tij.
Teksti letrar për studiuesin Behar Gjoka duhet të jetë vëmendjen që iu takon, por sipas tij nuk mungon dhe ai lexim që ai e shikon si klanor. Për studiuesin sot shkruhet edhe për arsye miqësore dhe thotë se për çfarë ngjet sot me leximin në tekstet letrare është koha të kthehemi në letërsi.
“Lexim jashtëletrar, sepse i kërkohet dëshmia historike, apo domethënia, kur estikja ka tjetër funksion. Lexim anës e pas anës, ku shkëlqen me mendimet e veta, ai që nuk e ka lexuar një tekst letrar. Lexim klanor, ku shkruhet për arsye miqësore, dhe jo për rrethana të vlerave letrare, që ndryshe quhet edhe lexim ramdorës, sa herë botohen veprat nga klani. Erdhi koha të kthehemi në letërsi, në analizën e tekstit, ku fle arti dhe mungesa e tij”, përfundon në reagimin e tij studiuesi Gjoka.
Reagimi i studiuesit i bashkohet atyre që janë bërë më parë për problemet me letërsinë. Studiuesi Behar Gjoka është i pranishëm në media në media me artikuj të ndryshëm, ku dhe më parë ka folur për problemet që hasin sot autorët dhe krijimtaria në vendin tonë. Para disa kohësh në një reagim të tij studiuesi Behar Gjoka u shpreh se letërsia është në rrezik dhe autori e teksti nuk janë as në periferi të politikave kulturore, në vendin tonë.
Diskutime rreth kësaj post