E përlotur dhe e emocionuar, Bebe Rexha mbërriti këtë të hënë në Bubq, ku pa nga afër situatën e krijuar pas tërmeteve. Ajo tha se ishte detyra e saj që të ndërgjegjësojë të gjithë botën për atë që ka ndodhur në vendin tonë.
“Është shumë e vështirë të jesh këtu në kohë kaq të vështira. Zemra dhe lutjet e mia janë me të gjithë shqiptarët që kanë humbur familjarët e tyre, të plagosurit, tek të pastrehët. Mund të qëndroj në Shqipëri vetëm pak orë, për shkak të turit tim, por sot ndjej që përgjegjësia ime sot është që të ndërgjegjësoj të gjithë botën për atë që ka ndodhur në vendin tonë. Puna ime nuk nis dhe nuk përfundon këtu sot. Unë dua të sigurohem që t’i qëndroj pranë familjes derisa projekti të jetë gati. Dua gjithashtu të them që i jam shumë mirënjohëse të gjithë ekipeve të shpëtimit që u erdhën në ndihmë të prekurve, Kosovën për ndihmën, të gjithë ata që ndihmuan krahëhapur”.
Krenare për vendin e saj të lindjes, këngëtarja me famë botërore, u shpreh e bekuar që është shqiptare.
“Nuk ka rëndësi sa larg shkoj me jetën time, sa famë arrij, për mua, nuk do ta harroj kurrë nga ku vij. Zemra ime ka gjak shqiptar. Do të jem gjithmonë aty për Shqipërinë, kjo është që kam për të thënë. E di që jemi të fortë, ne jemi vajzat dhe djemtë e Nënës Terezë, e di që jemi njerëz të mirë dhe kujdesemi për njëri-tjetrin. Jam shumë e bekuar që jam pjesë e një kulture kaq të mrekullueshme dhe një vendi kaq të mrekullueshme. Jam shumë mirënjohëse dhe jam shumë e lumtur që jam këtu sot. E dua vendin tim, prejardhjen time. Të dua Shqipëri”.
“Mendoj që momentalisht është shumë e rëndësishme që të dhurosh, është shumë e rëndësishme që ne të ndihmojmë njerëzit, të ndryshojmë jetë. Këta janë motrat dhe vëllezërit tanë, nëse ne nuk ndihmojmë, askush tjetër nuk do të ndihmojë. Ndaj mendoj se është shumë e rëndësishme që të jemi të bashkuar. Prandaj doja të vija sot këtu, sepse doja të shihja me sytë e mi se çfarë po ndodh, doja të prekja tokën. Dua ta shoh çfarë po ndodh, dua të ndjej, është shumë emocionale. Jam e lumtur që jam këtu, jo për arsyen, por që kam mundësinë të shoh këta njerëz kaq të bukur, më copëtohet zemra.”
Familjes Daci, e cila ka humbur 4 anëtarë për një periudhë fare të shkurtër, Bebe Rexha i’u drejtua në shqip:“Zoti i çoftë në xhenet”.
Ajo ka marrë nismën për të ndërtuar shtëpinë e familjes Daci nga fillimi, por këngëtarja tha se dëshiron të bëjë më shumë se kaq.
“Do të ndërtojmë shtëpinë nga fillimi. Po grumbulloj fonde dhe do të përpiqem të ndërtoj dy shtëpi për dy familje nga fillimi në fund dhe më pas do të doja të ndërtoja më shumë shtëpi, por do ta nis me dy. Do të sigurohem që të jem e përfshirë dhe do të doja që ndoshta të përfshihesha edhe në ndërtimin e një shtëpie, sepse mendoj që është shumë e rëndësishme për t’u angazhuar në gjeneratën e së ardhmes. Megjithatë hap pas hapi. Ndaj mendoj se është shumë e rëndësishme që kushdo që po sheh në çdo cep të botës, çdo shqiptar, ju lutem çdo dollar vlen, edhe nëse vetëm përhapni fjalën, çdo gjë vlen. Njerëzit tuaj kanë nevojë për ju”.
VIDEO:
Diskutime rreth kësaj post