Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se ministrat e Jashtëm të bllokut evropian janë pajtuar për të pezulluar marrëveshjen për viza me Rusinë.
Për pasojë, rusët tani do ta kenë më të vështirë sigurimin e një vize dhe procesi do t’iu kushtojë më shtrenjtë.
“Jemi pajtuar për pezullim të plotë të marrëveshjes lehtësuese për viza mes BE-së dhe Rusisë”, ka thënë ai në një konferencë për media në fund të takimit dyditor me ministrat e Jashtëm të BE-së në Pragë.
“Ky vendim do të ndikojë në zvogëlim të numrit të vizave të reja që lëshohen nga vendet anëtare të BE-së. Procesi do të jetë më i vështirë, do të jetë më i gjatë”.-tha ai.
Diplomatët kanë thënë se ministrat e BE-së nuk kanë arritur të pajtohen për një ndalesë totale për vizat turistike për rusët, meqë vendet anëtare janë të ndara në këtë çështje.
Borrell ka thënë se ka rritje të konsiderueshme të numrit të kalimeve kufitare nga Rusia drejt vendeve fqinje prej mesit të muajit korrik.
“Kjo gjë ka rritur rrezikun e sigurisë për këto shtete fqinje”, ka shtuar ai.
“Përveç kësaj, ne kemi parë shumë rusë që kanë udhëtuar për qejf dhe kanë kryer blerje thuajse nuk është duke ndodhur luftë në Ukrainë”.-tha ai.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonomine e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Për dhe kundër pezullimit të vizave
Bashkimi Evropian dhe Rusia kanë marrëveshje për lehtësim të procedurave për viza prej vitit 2007.
Ndonëse kjo marrëveshje është pezulluar pjesërisht në fund të muajit shkurt – për të shënjestruar personat e afërt me presidentin Putin – pjesa tjetër e rusëve nuk është prekur nga kjo masë.
Shtetet që ndajnë kufirin me Rusinë – vendet baltike, Polonia dhe Finlanda – kanë bërë thirrje të parat për masa kufizuese në vizat turistike për rusët.
Megjithatë, Gjermania dhe Franca, kanë qenë në anën tjetër të debatit, duke thënë se kufizimi i vizave për rusët, do të rezultojë si masë joproduktive, teksa BE-ja tenton të luftojë për “zemrat dhe mendjet” e atyre rusëve që nuk përkrahin luftën në Ukrainë.
Kievi i ka bërë thirrje BE-së që të ndalojë lëshimin e vizave për të gjithë rusët, përveç disidentëve politikë./REL/
Diskutime rreth kësaj post