Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca ka reaguar për pezullimin e fondeve të Bujqësisë nga BE nën akuzën për korrupsion. Në fjalën e saj në seancën e sotme plenare, shefja e bujqësisë, thotë se AZHBR ka qenë nën hetim që vjet ndërsa shton se në komunikatën e djeshme nuk përmendet fjala korrupsion. Ministrja shton se masa ka qenë e përkohshme.
Ajo tha ndër të tjera se këto gjëra ndodhin edhe në shtete të tjera të mëdha si Gjermania, Holanda, Spanja, që kanë pasur probleme me fondet e OLAF, por kjo nuk do të thotë, sipas ministres Krifca, që ka korrupsion.
“U ndesha me shumë neveri retorikat e ditës së djeshme sepse hidheshin baltë mbi institucion dhe me njerëz që janë përkushtuar. Çdo fjalë u përdor nga opozita si barut për t’i vënë flakën gjithçkaje të mirë që kemi bërë. Dje, nuk ka pasur një lajm të ri. Lajmin se AZHBR ka qenë nën hetim, është i bërë publik që prej shkurtit në 2021. Lajmi i vetëm ka qenë njoftimi për pezullimin e pagesës së radhës si një masë e përkohshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Bujqësisë në Bruksel. Në atë letër nuk përmendet fjala korrupsion. Në këtë pikëpamje unë nuk mund të komentoj dhe as nuk mund të parashikoj asgjë nga këto rrethana. Mund t’iu siguroj që sistemi i menaxhimit të fondeve dhe procedura e ndjekur nga Agjencia janë pikërisht ato që janë të akredituara nga BE. Nëse këto procedura të verifikuara nga jashtë brenda, janë cenuar apo për shkak të zhvillimeve të ndryshme imponojnë përmirësimin e tyre, jemi te interesuar për të bashkëpunuar bashkë me OLAF për të bashkëpunuar menjëherë dhe për të korrigjuar veprimtarinë e institucionit. Programi nuk është ndaluar, ai është në funksion. Gjermania, Holanda, Spanja janë disa nga shtetet e mëdha që kanë pasur probleme me fondet e OLAF. Kjo nuk do të thotë që ka korrupsion. Kudo ka vend për përmirësime të vazhdueshme. AZHBR është bërë pjesë e këtij hetimi, duke i vënë në dispozicion çdo dokument, apo informacion. Nuk thuhet në asnjë moment që ka korrupsion, por thuhet se ka dyshime për korrupsion. Unë i kam ofruar disponibilitet të plotë OLAF. Ne jemi krenarë për punën e bërë. Kemi ngritur një model menaxhimi si asnjë institucion tjetër. Ju ftoj të gjithë ju deputetëve që të shikoni punën që është bërë nga AZHBR”,-tha Krifca.
Diskutime rreth kësaj post