1. Zgjedhja strategjike
Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj strategjike që në vitin 1992: të jetë anëtare e NATO-s dhe e BE-së. Kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë linjë konstante e gjithë spektrit politik shqiptar, dhe deshirë e popullit të Shqipërisë gjatë gjithë periudhës që nga viti 1992 e këtej. Pjekuria politike dhe analizat profesionale gjeopolitike afat-mesme dhe afat-gjata tregojnë se kjo konstante duhet dhe do të ruhet. Njëkohesisht, ajo nuk duhet të kthehet në linjë “armiqesore” dhe nuk duhet të bëhet pengesë për marrëdhënie të mira, edhe të shtuara, në interes të ndërsjelltë, me ata shtete që nuk janë pjesë e këtyre grupimeve, veçanërisht më “të mëdhenjtë”. Këta, ndërmjet tyre, edhe nëse i prishin urat, është e përkoheshme, i rregullojnë përsëri, se të tilla i kanë interesat; të vegjëlve u mbahen mend të thënat, të bërat. Ne nuk duhet të jemi mbi-entuziastë në deklarata “për pikë” dhe as të nxitemi të bëjme të tilla. Historia mëson se të mëedhejte nuk sakrifikojnë interesat e tyre për hir të të vegjëlve!
2. BE dhe negociatat
Ka disa vite që politikanët e vendit tonë kërkojne hapjen e negociatave për anetarësim në BE. Deklaratat politike sa vijnë e shtohen, bile ato ngjyrosen edhe me emocione disi fëminore, lypëse. Është bërë përparim në mjaft drejtime. E vërtetë! Drejtues dhe burokratë të BE bile shprehin habinë pozitive me përparimet që kemi bërë, ndërsa vijojnë të ngrenë kushtet e paplotësuara për të ndërmarrë këtë hap. Nga ana tjetër, politikanët tanë vijojnë të insistojnë në kërkesën se e meritojmë që tani – ka disa vite që thuhet që tani – të hapen bisedimet për anëtaresim. Vendimi për të hapur bisedimet duket se përsëri do shtyhet, e pritet të merret në gjashtëmujorin e ardhshëm.
Ndërsa punohet, shpresohet, bëhen përpjekje për të bindur politikisht kryeqytete, bëhen deklarata politike, etj., popullit nuk i flitet qartë, nuk analizohet publikisht, përmes një debati përmbajtësor, për vështirësitë që ka ky proces dhe për kohën që ai mund të marrë. Po ashtu, nuk u flitet për vështirësitë me të cilat do të ndeshet popullsia jonë gjatë dhe pas anëtarësimit nëse nuk jemi të përgatitur mirë. Po përpiqem të përqendrohem tek disa aspekte që kanë të bëjnë VETËM me NJË kapitull kyç të këtyre negociatave – atë të konkurencës, si shembull.
Shkurt: Acqui Communautaire (Legjislacioni i plotë) i BE-së është i ndarë sot në 35 kapituj (me negociatat për Turqinë dhe Kroacinë, për të siguruar një ekuilibër më të mirë ndërmjet kapitujve); ai më parë kishte 31 kapituj, kur u vendos zgjerimi me 10 shtete në 2004 dhe me Bullgarinë e Rumaninë në 2007. Është vështirë ta përcaktosh qartë çfarë është në të vërtetë acqui-ia, sepse ajo përfshin gjithë sistemin ligjor të BE-së, dmth., rrreth 100 mijë faqe te botuara në Gazetën Zyrtare. Shtetet që duan të hyjnë në BE duhet ta pranojnë acqui-ne ashtu sic eshte, si një të tërë: kjo përfshin të gjithë traktatet rreth BE-së, Komunitetit Evropian, gjithë legjislacionin sekondar në fuqi sot, gjithë traktatet ndërkombëtare të nënshkruara nga Komisioni Evropian, gjithë vendimet e marra nga Gjykata e Drejtesisë, si dhe gjithë të ashtuquajturin “legjislacion i bute”.
Çdo njëri prej 35 kapitujve negociohet me Komisionin dhe me Shtetet Anëtare. Kur të plotësohen teë gjitha kriteret në sejcilën prej fushave që rrokin ato, pra, pasi të jenë mbyllur të gjitha negociatat për të 35 kapitujt, Komisioni i rekomandon Keshillit pranimin e një vendi kandidat. Vendimi merret në Këshill me konsensusin e të 28 Shteteve Anëtare. Këto negociata zgjatin me vite të tëra. Është fjala për të adaptuar, zbatuar dhe negociuar, nëse plotëson kriteret, i gjithë legjislacioni i lartpërmendur! Minimumi do të ishte 5 vjet për vende qe janë bukur të avancuara në gjithë drejtimet; sa per ilustrim, si shembull, negociatat për pranimin e Hungarisë zgjatën mbi 5 vjet!
3. Kapitulli Politikat e Konkurencës (8) – si shembull
Ky kapitull është mjaft i komplikuar dhe delikat. Ai ka të bëjë me të ardhmen e gjithë fshatarësisë, që punon në bujqësi dhe blegtori, si dhe të gjithë biznesit, të vogel dhe të mesëm, në vendin tonë. Dihet që Komisioni do të konsiderojë të plotësuara dhe të mbyllura negociatat vetëm kur të jetë i bindur dhe për ato vende që janë gati! Ai do bëjë vlerësimin e gjendjes së konkurencës tek ne, duke nënvizuar nëse plotësohen ose jo kushtet për mbylljen e negociatave për konkurencën. Në fund, i takon shteteve anëtare të vendosin nëse për kandidatin mund të mbyllet kapitulli i konkurencës.
Komisioni ka shume vite që i permbahet qëndrimit se në këtë fushë kandidati mund të konsiderohet i gatshëm për pranim vetëm nëse kompanitë dhe autoritetet publike të atij vendi janë të mësuar mirë me disiplinën e konkurencës (lexo:zbatimin), njëlloj siç është ajo e Komunitetit, shumë kohë para caktimit të datës për pranim. Kjo është e domosdoshme për të siguruar që aktorët ekonomikë në vendin kandidat janë në gjendje të përballojnë presionin konkurues të tregut të brendshëm (te BE-se) si pasojë e zbatimit të plotë dhe direkt të acquis menjëhere pas bërjes anëtar. (Më poshtë, pika 4, thotë konkretisht dhe thjesht se cfarë nënkupton kjo!) Prandaj, ne praktikën e tij, Komisioni këmbëngul që të bëhen të gjitha adaptimet mjaft kohë para pranimit. Kjo rrjedh nga vendosmëria e Unionit për të ruajtur disiplinën e tregut të brendshëm (të BE-së) pas zgjerimit, si dhe nga vullneti për të evituar zbatimin e menjëhereshëm të rregullave të konkurencës. Keto ligje, nëse nuk ka një proces të fortë parapërgatitje për pranim, do të ishte tepër e vështrirë të mbeten të qëndrueshme dhe të përballohen nga/për kompanitë apo bizneset e vogla familjare në vendin kandidat.
Ka disa elementë kyç që duhet të jenë të konsoliduar para se të mbyllen negociatat: a) kuadri i nevojshëm legjislativ në lidhje me “antitrust-it” (politika qeveritare për të rregulluar ose pjestuar/shpërbërë monopolet me qellim që të nxitet konkurenca e lirë dhe të nxirren përfitimet që i vijnë ekonomisë dhe shoqerisë në tërësi nga kjo konkurencë) dhe Ndihma e Shtetit (State Aid) (a është e përgatitur qeveria jonë ta ketë ligj dhe të ndërmarrë veprim në bazë të tij për të pjesëtuar/shpërbërë, për shembull, një kompani të madhe që ka zaptuar gjithë tregun tonë në një fushë të caktuar?!?); b) kapacitete të mjaftueshme/të përshtatshme administrative, dhe c) rekord i besueshëm i zbatimit të acquis në të gjitha fushat e politikës të konkurencës. Ka shumë rëndesi të kuptohen mirë dhe të përdoren termat e saktë specifikë dhe, në mënyre të veçantë, të kuptohet domethënia e tyre dhe mundësitë konkrete të zbatimit të këtyre elementëve.
4. Marrëveshjet e Evropës
Të gjitha Marrëveshjet e Evropës (Europe Agreements) kanë parim bazë: (i) marrëveshjet kufizuese ndërmjet palëve në marrëveshje biznesi (restrictive agreements between undertakings); (ii) abuzimi i dominimit nga palët në marrëveshje, dhe (iii) çdo ndihme e Shtetit që rrezikon të shtrembërojë konkurencën është e papajtueshme me Marrëveshjet. Cilado praktikë që bie ndesh me këto parime vlerësohet mbi bazën e kritereve që rrjedhin nga zbatimi i rregullave të konkurencës që zbatohen në Komunitet. Pra, Marrëveshjet e Evropës janë instrument thelbësor në fushën e konkurencës para-pranimit.
Tregjet gjithnjë e më të globalizuara duket se përbëjnë realisht një sfidë të madhe për të gjithë ata që zbatojnë ligjet e konkurencës në planin kombëtar apo rajonal. Ndërkohë si reagim ndaj globalizimit do të ishte që konsumatorit, opinionit publik dhe ekonomive t’u jepen prova të qarta që ky proces nuk qeveriset, nuk drejtohet nga firmat e mëdha, nga multinacionalet e mëdha; ai ka mbikqyrje të koordinuar nga pushteti i publikut. (A ndodh kjo tek ne!? Kur do të ndodhë?!)
Çdo vend që përgatitet të anëtarësohet analizon mirë dhe merr vendim duke koordinuar, organizuar dhe përqendruar forca në ato linja apo produkte (ose produkt) me të cilët ai do të jetë konkurues në tregun e brendshëm të BE-së, pas pranimit. Që të thjeshtëzohet domethënia e radhëve të mësipërme, në kontekstin e një tregu të përbashket, pa kufizime, do të thotë që, për shembull, gjalpi, djathi, vezet, mishi, peshku, e produkte të tjera bujqësore, blegtorale, etj., do të jenë me të lira të sillen me avion nga Danimarka, Irlanda apo Hollanda apo nga diku tjeter nga BE-ia, sesa çmimi me të cilin ato do të shiten në treg nga prodhuesi i vogël familjar, apo firmë e vogel. Plus, asnjë prodhim i tyre nuk do të lejohet të dalë në treg nëse nuk plotësohen të gjithë kriteret që prodhimi të lejohet të dalë në treg, kritere që janë të përcaktuara dhe të zbatuara rreptësisht nga Komisioni Evropian, siç janë, parametrat e procesit teknologjik, komponentët përbërës, sasia e tyre, vlera ushqimore, pastërtia, ngjyra, shija, madhësia, etj., etj., në bazë të analizave të bëra rregullisht, të provuara dhe të dokumentuara përsëri rregullisht. (Këto lidhen direkt edhe me Kapitullin 12 – Politikat e sigurisë ushqimore, veterinare dhe fitosanitare.)
5. Në vend të përfundimit
Nëse nuk bëhen përgatitje të mëdha, nëse nuk bashkohen forcat që të rritet rendimenti në sasi dhe cilësi, në rast se nuk ngrihen qendra grumbullimi ku të blihen, grumbullohen para daljes në treg produktet nga prodhuesit e vegjël dhe të mesëm, prodhuesit tanë, në masë të gjerë, do të hasin veshtirësi jashtëzakonisht të mëdha, veçanërisht ata të vegjël dhe të mesëm dhe fshatarësia që punon dhe jeton me bujqësi dhe blegtori.
Këto janë vetem pak aspekte konkrete, të prekshme, me të cilat do të ndeshemi. Kërkohen punë tepër serioze organizative, profesionale dhe koordinuese e një numri institucionesh, kërkohet ndërgjegjesim i madh, që tani, sa më parë, për të kuptuar dhe për t’u përgatitur të përballen sfidat madhore që janë përpara në rrugën drejt BE-së.
BE-ja nuk është qendër bamirësie, dhe as institucion super demokratik, si mund të mendojë shumëkush! Barazia kudo, edhe në të, është relative. Hyrja në BE nuk do të thotë se atëherë “do hamë me lugë floriri, si thuhej dikur, të gjitha problemet do zgjidhen kur të jemi brenda, ata do na mbajnë, c’na kane ata ne…”, e të tjera të tilla folklorizma foshnjore që shprehin nivel të ulët njohurie e pjekurie. Hyrja në BE ka kosto, do të ketë dhimbje, ka detyrime, ka edhe përfitime. Ajo kërkon një ekuilibrim mjaft të kujdeshëm të këtyre komponentëve.
Politikanët duhet, në radhë të parë, ta kuptojnë vetë këtë realitet dhe duhet, në radhë të dytë, ta transmetojnë siç duhet, korrekt, qartë, pa zbukurime, këtë analizë realiteti tek publiku i gjerë, që ai të kuptohet prej publikut. Kjo ka më shumë rëndësi sesa gara midis partive, propagandimi i arritjeve të kësaj apo të asaj partie lidhur me afrimin me BE-në! Ndryshe, njerëzit shumë shpejt mund të zhgënjehen dhe më pas të reagojnë siç dimë ne shqiptarët kur merzitemi shumë! Ky është realiteti, duke mos qenë as pesimist, as optimist dhe ai duhet njohur mirë nga të gjithë. Nuk është një rrugë e lehtë dhe, me keq akoma, nuk duhet marrë si një rrugë e lehtë.
Posaçërisht për Javanews.al
(Kontributori i këtij artikulli është ish-diplomat i lartë karriere i shërbimit diplomatik të RSH dhe prej shumë vitesh zyrtar i lartë në një nga organizatat më të rëndësishme të sistemit të OKB-së; për arsye etike pune, artikulli botohet pa emer)
Diskutime rreth kësaj post