Rusia kritikoi këtë të premte kërcënimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, ndërsa edhe Bashkimi Europian e mbrojti paktin. Përkundër tyre, Izraeli dhe Arabia Saudite e lavdëruan qëndrimin e ashpër konfrontues të Trumpit me Teheranin.
Në një fjalim të shumëpritur, Trump tha se nuk mundet të certifikojë faktin që Irani është duke iu përmbajtur marrëveshjes me 6 fuqitë e tjera botërore dhe BE-në, sipas së cilës Teherani kishte premtuar të ndalonte programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të disa sanksioneve ekonomike.
Presidenti republikan, i cili e quajti paktin e negociuar nga paraardhësi i tij demokrat, Barack Obama, si “marrëveshja më e keqe e arritur ndonjëherë” dhe “tejet të sikletshme”, ia kaloi këtë çështje Kongresit amerikan, që tashmë ka 60 ditë kohë për të vendosur nëse do t’i rikthejë apo jo sanksionet amerikane.
Trump paralajmëroi se, nëse “ne nuk do të mund të arrijmë një zgjidhje në bashkëpunim me Kongresin dhe aleatët tanë, atëherë marrëveshjes do t’i jepet fund”.
Qëndrimi i tij e vendosi në një sfidë të hapur me aleatët kyç të Amerikës, përfshi Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, të cilat së bashku me Rusinë e Kinën ishin fuqitë madhore që negociuan marrëveshjen me Iranin, krahas Bashkimit Europian.
Në Bruksel, shefja e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini tha se Uashingtoni nuk mund ta anulojë në mënyrë të njëanshme marrëveshjen. “Nuk mund ta pranojmë si komunitet ndërkombëtar të shpërbëjmë një marrëveshje bërthamore që aktualisht po funksionon”, tha Mogherini, e cila kryesoi fazat e fundit të bisedimeve historike. “Kjo nuk është një marrëveshje dypalëshe. Komuniteti ndërkombëtar, përfshi BE-në, ka theksuar qartë se marrëveshja ekziston dhe do të vijojë të mbetet në fuqi”, tha Mogherini për reporterët në Bruksel.
Udhëheqësit e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë lëshuan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës paralajmëronin Shtetet e Bashkuara kundër marrjes së vendimeve që do të dëmtonin marrëveshjen bërthamore, siç është për shembull rivendosja e sanksioneve.
Tre udhëheqësit thanë gjithashtu se ndajnë të njëtat shqetësime si Shtetet e Bashkuara mbi pogramin e raketave balistike të Iranit, si dhe për aktivitetet destabilizuese rajonale, dhe se ishin të gatshëm të punonin me Uashingtonin për të adresuar këto shqetësime.
Në kontrast me ta, Ministria e Jashtme ruse theksoi se nuk ka vend në diplomacinë ndërkombëtare për retorika kërcënuese dhe agresive, pasi të tilla metoda janë të destinuara të dështojnë.
Ende nuk ka një reagim nga Kina, edhe pse Alexei Pushkov, një ligjvënës pro Kremlinit në Dhomën e Lartë të Parlamentit rus tha se, as Moska dhe as Pekini nuk e mbështesin qëndrimin e Trump. Megjithatë, Trump mori mbështetjen e Izraelit dhe Arabisë Saudite.
Diskutime rreth kësaj post