BE kërkoi nëpërmjet ambasadores Hohmann që lufta kundër korrupsionit të vazhdojë me ndëshkimin nga SPAK të zyrtarëve të lartë.
“T’i jepet fund mosndëshkimit, ky është një mesazh që e dëgjoj shumë shpesh në takimet dhe shkëmbimet në gjithë vendin, përfshirë nga profesionistë të rinj dhe sipërmarrës. Nga këndvështrimi i BE, Shqipëria po vazhdon përpjekjet e saj për të ndërtuar një historik hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh në luftën kundër korrupsionit dhe po shohim rezultatet e para. Është e qartë që këto përpjekje duhet të vazhdojnë, duke përfshirë vullnet më të madh politik, forcim të mëtejshëm të strukturave përkatëse, burimeve dhe aftësive adekuate që mbeten të nevojshme”, tha ambasadorja Hohmann.
Hohmann bën thirrje për bashkëpunim mes forcave politike për hir të reformave të integrimit.
“Ajo që nisëm në Korrik i ngjan një maratone. Ajo nënkupton shumë punë në të ardhmen, vendosmëri të fortë politike nga i gjithë spektri politik, kompetencë të jashtëzakonshme dhe udhëheqje të fuqishme për të sjellë atë ndryshim transformues që përcakton procesin e anëtarësimit në BE”.
BE këshillon qeverine Rama që të mos zbatojë projektin e “pasaportave të arta”.
“Rreziqet që lidhen me krijimin e një skeme të tillë janë theksuar në disa raporte të Komisionit Evropian dhe në disa takime të zhvilluara mes zyrtarëve të BE dhe autoriteteve shqiptare gjatë viteve të fundit. Këto rreziqe janë shprehur në mënyrë eksplicite në raportin e fundit vjetor të progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, si dhe në Raportin e fundit të Mekanizmit të Pezullimit të Vizave. Këto rreziqe përfshijnë depërtimin e krimit të organizuar, pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta në një skemë të ardhshme shqiptare”.
Ambasadorja Hohmman e mbyll intervistën e saj me këshillën që qeveria Rama të fokusohet fuqishëm në përshpejtimin e reformave që lidhen me BE, duke formësuar një konsensus politik dhe kombëtar përtej linjave partiake dhe me të gjitha segmentet e shoqërisë./Klan News
Diskutime rreth kësaj post