Bashkimi Europian ka mbështetur deklaratat e komisionerit për zgjerim, Oliver Varhelyi sa i përket çështjes së “Ballkanit të Hapur”. Zëdhënësja e Komisionit Europian Ana Pisonero është shprehur se integrimi Rajonal që bazohet në rregullat e BE-së, i sjell vetëm përfitime Ballkanit Perëndimor. Sipas saj, kjo është edhe arsyeja pse Bashkimi Europian kujdeset shumë për bashkëpunimin rajonal.
“Mungesa e progresit në zbatimin e tregut të përbashkët rajonal ka penguar përfitime të rëndësishme, veçanërisht për biznesin, investitorët dhe konsumatorët”, tha ajo.
Pisonero deklaroi se mirëpret që pjesëmarrësit e Iniciativës për “Ballkanin e Hapur” të jenë të përkushtuar për të promovuar integrimin më të madh rajonal. Po ashtu zëdhënësja e KE tha se udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë përparim në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të krijuar në Samitin e Sofjes në vitin 2020, me angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve. Sipas saj, përfitimet më të mëdha rajonale do të vinin nga përfshirja e gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor në iniciativën e Ballkanit të Hapur.
“Mbetet e qartë se përfitimet më të mëdha do të vinin nga gjashtë shtetet e Ballkanit. Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë përparim në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të krijuar në Samitin e Sofjes në 2020, me angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve. Kjo është e rëndësishme për të realizuar përfitimet e plota të integrimit rajonal, për të shfrytëzuar sa më mirë investimet sipas Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe për të lidhur më mirë të gjithë rajonin me tregun e vetëm të BE-së”, tha zëdhënësja e KE-së.
Në fund ajo theksoi se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA-n, Komunitetet e Transportit dhe Energjisë për të sjellë përfitime për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe më tej përmes bashkëpunimit të zgjeruar rajonal.
Diskutime rreth kësaj post