Sot në media është publikuar Raporti Zyrtar i Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili flet për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky raport është publikuar pas darkës së Josep Borrell-it me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Sipas këtij dokumenti, kryesimi i Këshillit të Bashkimit Evropian nga Sllovenia në periudhën kohore prej 6 muajsh nga korriku deri në dhjetor shihet si një mundësi shumë e mirë për arritjen e një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Gjatë presidencës së Sllovenisë në Këshillin e BE-së për vitin 2021, ekziston mundësia për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit përmes dialogut”, thuhet në këtë dokument.
Demokracia.com ka siguruar raportin e përpiluar nga Këshilli Evropian pas darkës së liderëve të Ballkanit Perëndimor, e ku përmendet edhe kjo pikë. Sipas dokumentit, BE-ja këshillon Qeverinë e Kosovës kundër çdo veprimi “provokues”, siç e cilësojnë ata, në komunat veriore.
“Përfaqësuesi i Lartë do t’i bëjë thirrje Qeverisë në Prishtinë kundër çdo veprimi provokues në komunat veriore. Konkretisht, z. Kurti do të këshillohet që të mos ndërmarrë ndonjë operacion policor që synon mbledhjen e faturave të energjisë elektrike në komunat veriore, që mund të provokojnë tensione të mëtejshme me popullsinë lokale”, thuhet në raportin e BE-së.
Derisa përmenden edhe non-papers të publikuar ditë më parë, duke thënë se të njëjtët kanë pasur për qëllim prishjen e imazhit të Sllovenisë para marrjes së kryesimit të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, meqë në Ballkanin Perëndimor ekziston një pikturë pozitive për Slloveninë.
“Imazhi i Sllovenisë në vendet e Ballkanit Perëndimor është përgjithësisht pozitiv dhe ky vend është i mirëpritur prej të gjitha palëve. “Non-paper” kishte tendencë prishjen e këtij imazhi të Sllovenisë, para se ky vend ta merrte presidencën e Këshillit”, theksohet tutje.
BE e sheh të nevojshme që shtetet e Bashkimit Evropian të mbështesin punën dhe agjendën e Miroslav Lajcak dhe të nxisin kryeministrin Albin Kurti që të jetë i përkushtuar në procesin e negociatave dhe të mos ketë vonesa, të cilat mund të vijnë si rezultat i zgjedhjeve lokale në Kosovë që pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti.
“Zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë që pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti, mund t’ia humbasin z. Kurti paksa fokusin në procesin e dialogut. Është e rëndësishme që me këtë rast vendet e BE-së ta përkrahin agjendën e Lajçakut dhe ta nxisin z. Kurti që të jetë i përkushtuar pa vonesa”, thekson ky raport.
Përveç kësaj thuhet se qarqet e ndryshme politike duhet t’i bëjnë presion opozitës për lehtësimin e marrëveshjeve të ardhshme dhe që të përkrahin arritjen e një kompromisi në mes të Kosovës dhe Serbisë.cNë këtë raport thuhet se Albin Kurti ka treguar që s’ka gatishmëri brenda Kuvendit të Kosovës për të shkuar drejt një marrëveshje me Serbinë, derisa BE’ja një gjë të tillë e sheh si një indicie që mund të çoj në skenar të ri për zgjerimin e koalicionit me qëllim të rritjes së përkrahjes politike.
“T’u bëhet presion qarqeve specifike politike të opozitës në Prishtinë për lehtësimin e marrëveshjeve të ardhshme dhe të binden për nevojën e arritjes së një kompromisi historik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Z. Kurti u shpreh për mosgatishmërinë politike të Kuvendit të Kosovës, gjë që mund të shkaktojë paqëndrueshmëri afatgjatë politike edhe brenda vetë grupit parlamentar të tij. Këto ndërlikime të brendshme do të adresohen me skenarë të rinj, siç është zgjerimi i koalicionit qeveritar në mënyrë që të zgjerohet mbështetja politike”, thuhet në Raportin e Këshillit të BE’së të publikuar nga “Demokracia”.-thuhet në dokument.
Diskutime rreth kësaj post