Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha të shtunën se Bashkimi Evropian nuk i ka njohur talebanët dhe as nuk po zhvillon bisedime politike me militantët, një javë pasi ata morën kontrollin e Afganistanit.
Talibanët i dhanë fund marrjes rrufe të Afganistanit të dielën, duke u futur në kryeqytetin e vendit, Kabul, pa hasur në rezistencë. Shjefja e ekzekutivit të BE-së foli pasi vizitoi një qendër pritëse në Madrid për punonjësit afganë të institucioneve të BE-së të evakuuar nga Kabuli.
Zonja Von der Leyen tha se do të propozonte një rritje të ndihmës humanitare prej 67 milionë dollarësh që Komisioni kishte parashikuar këtë vit për Afganistanin. Ajo tha se ndihma e BE-së lidhet me respektimin e të drejtave të njeriut, trajtimin e mirë të pakicave dhe respektimin e të drejtave të grave dhe vajzave.
“Ne mund t’i dëgjojmë ato çka thonë talebanët, por ne do t’i masim ato mbi të gjitha me veprat tyre”, tha zonja von der Leyen në një konferencë shtypi.
Ajo shtoi se Komisioni ishte gati të siguronte fonde për vendet e BE-së që do të ndihmojnë në zhvendosjen e refugjatëve dhe se planifikonte ta ngrinte çështjen e zhvendosjes në një takim të G7-s që mbahet javën e ardhshme. Pas një krize në 2015 kur më shumë se një milion migrantë shkuan në Bashkimin Evropian, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku, BE-ja e ka ulur numrin e atyre që futen në këto vende falë një marrëveshjeje me Turqinë, e cila merr fonde nga blloku për të pritur azilkërkuesit në territorin e saj.
Diskutime rreth kësaj post