Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama tha në “Ilva Now” se gratë përfaqësuese të kabinetit qeveritar dhe ato në politikë duhet të shërbejnë si katalizator i fuqizimit të gruas dhe adresimit të problematikave të tyre, mision i cili sipas saj nuk është mjaftueshëm i shprehur.
“Atyre grave që iu është dhënë mundësia për të qenë në nivelet më të larta, unë nuk i shoh këto gra, aq sa duhet në nivelin e misionit. Ato nuk janë ngritur në nivelin e misionit, ato thjesht përpiqen të performojnë në punën e tyre. Duhet hequr egoja personale, duhet të mendojnë se aty nuk janë se janë më të mirat. Jo, nuk janë më të mirat, ka shumë më të mira thjesht iu është dhënë mundësia dhe për shkak të kapaciteteve,” – tha znj. Rama.
Ajo përmendi si të gëzueshëm faktin se në tabelat botërore ku diskutohen çështjet e barazisë gjinore, Shqipëria është në nivelet më të larta, ndërsa shtoi se do të donte që gratë në politikë t’i njihnin shumë më mirë problematikat e grave në komunitet, diçka që sipas saj nuk është pjesë e vokacionit të tyre.
“Ne kemi të drejtë të pretendojmë, Ilva. Edhe ju si media, edhe unë si pjesë e një aktivizmi civil të hershëm, kam të drejtë të pretendoj dhe unë mendoj dhe shoqëria ka të drejtë të pretendojë. Po të pyesësh sot gra në komunitete, unë jam e bindur që ato janë shumë të qarta në pretendimet e tyre dhe kjo nuk mund të kalojë pa u konsideruar” , deklaroi znj. Rama.
Edhe vetë një aktiviste me eksperiencë e shoqërisë civile, znj. Rama vlerësoi progresin e përfaqësimit të grave në arenën publike shqiptare dhe u shpreh se gratë në vend meritojnë më shumë. Pyetur nga gazetarja Ilva Tare nëse e sheh si të përshtatshme kohën për një grua në krye të vendit, znj. Rama u përgjigj se kjo kohë ishte tejkaluar dhe madje mund të kishte ardhur shumë vite më parë, që nga fillimi i demokracisë në Shqipëri.
Diskutime rreth kësaj post