Kandidatja e Grupimit për Partinë Demokratike do të bëjë sot në darkë publik programin me të cilin do të sfidojë Lulzim Bashën dhe dy kandidatët e tjerë në garën për kreun e PD. Lajmin, Edith Harxhi e ka bërë të ditur në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC.
Duke komentuar, programin elektoral të kryedemokratit Lulzim Basha për zgjedhjet e 25 prillit, zonja Harxhi tha se nuk ishte i djathtë.
“Veç taksës 9 për qind dhe thirrjes për shtresën e mesme, në të tjerat nuk ishte program i djathtë elektoral. Një program i djathtë ka në qendër sovranitetin… Drejt bujqësisë të mbrosh produktin tënd. Sovraniteti ekonomik, janë çështje që nuk u prekën. Në programin tim elektoral, të cilin do ta bëj publik sonte në Facebook, për herë të parë vij me një tezë. Një projekt të ri të djathtë.”
Por çfarë do të ndodhë me Grupimin për PD-në nëse Basha e fiton garën për kryetarin e partisë?
Edith Harxhi shpjegon: “Fraksion nuk ka në PD. Megjithatë grupimi do të vijojë njësoj si sot, nëse do të fitojë Basha. Por unë besoj që i ka shanset e vogla. Ne këtë projekt që e kemi nisur tani, është një projekt që do të vijojë. Ne do vazhdojmë siç kemi nisur. Kjo nuk është betejë që mbaron me 13 qershor.”
Ndërsa, e pyetur sesi do ta rimëkëmbë PD-në nëse zgjidhet në krye të kësaj partie, Edith Harxhi shpjegoi shtyllat në të cilat është ndarë platforma e saj për të drejtuar partinë.
“Platforma ime për PD, është e ndarë në tre shtylla. Ajo ideologjike, nuk është bërë mjaftueshëm për të persekutuarit. Duhet që çdo zyrtar i PD të kalojë në filtrin e instucionit të dosjeve të sigurimit të shtetit. Duhet bërë dëmshpërblim i plotë i krimeve të komunizmit. Çështja e pronarëve të ligjshëm, të trajtohet urgjentisht nga PD. Çdo regjim, janë sjellë shumë rëndë me pronarët e ligjshëm. Afrimi i shtresës së mesme, intelektualëve, akademikëve. Trajtimi i rinisë. Duhet t’u përqasemi në një mënyrë krejt tjetër.”
Duke folur për Bashën si kryetar partie, zonja Harxhi tha se asnjë projekt që është nisur prej tij nuk është çuar deri në fund. Sa i përket figurave të njohura që janë larguar nga Partia Demokratike, nën drejtimin e Edith Harxhit ato do të kenë një ftesë për t’iu ribashkuar partisë.
“Hapja e partisë. PD duhet të hapet urgjentisht, të bashkojë gjitha vlerat e të gjitha kohërave. U bëj thirrje atyre që u larguan ose i kanë larguar, nuk mund ta bashkojë Basha, se u mbylli derën. Qëkur të ndryshojë vizioni në PD, Rama është gjysmë i mundur. Ne do të kemi departamente dhe zyra që do të punojnë ditë e natë për çdo projektligj që shkon në parlament, për të pasur një alternativ”, tha ajo.
Diskutime rreth kësaj post