Gazetari Bledian Koka u shpreh mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Spotlight’ që Lulzim Basha duhet të sqarojë njëherë e mirë nëse është me qytetarët apo milionerët.
Duke përmendur rastin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë, Sait Dollapi, Koka u shpreh se kryetari i selisë blu duhet të mbajë përgjegjësi për largimin e tij dhe përfshirjen në tendera me mazhorancën.
“Një parti është demokratike aq sa lidershipi i saj kërkon të jetë. Unë mendoj që Basha është në sprovë për ta bërë këtë. Deri tani, ai i ka patur strukturat dhe gjithmonë me strukturat që ai ka zgjedhur, ai i ka injoruar në kuptimin e plotë të fjalës. Injorim do të thotë që ti të emërosh sekretarin e përgjithshëm të partisë dhe mos ta vësh në listën ku zgjidhet kandidat për deputet.
Të zgjedhësh sekretarin organizativ të partisë dhe del që sekretari jep dorëheqjen, por del që ka marrë dhe ca tendera nga pushteti gjatë kohës që ka qenë dhe sekretar organizativ i partisë. Dhe të gjitha këto lloj vendimmarrje kërkojnë një lloj përgjegjësie që duhet ta marrë kryetari. Ai duhet të thotë që unë kisha Said Dollapin në Partinë Demokratike, kur ndërkohë kompania e Said Dollapit merrte leje nga Erion Veliaj dhe krejt papritur pas humbjes së zgjedhjeve iku sikur nuk ndodhi asgjë.
Unë në këtë pikë jam me Albin Kurtin i cili ka thënë dikur ‘Nëse doni me nejt me u bo milionera, rrini boni biznes, mos u futni në politikë. Në qoftë se do vini në politikë, s’ka me u bo milionera’. Këtë po ia them Bashës, Said Dollapit dhe kushdo lloj njeriu tjetër që ka lidhje me një pushtet që duhet të japë mesazhin që ne jemi me qytetarët, nuk jemi me milionat. Jo se ky mesazh ka munguar nga Partia Demokratike, por shpeshherë, mesazhet e bëjnë pis një aksion shumë më të madh të Partisë Demokratike që është përfaqësim i opozicionit shqiptar.”, – u shpreh Koka
Diskutime rreth kësaj post