Lulzim Basha vijon të deklarojë se Meta, Berisha e Rama janë bashkë. Ish-kreu i PD u ndal këtë pasdite në Kamëz, ku tha se si Berisha ashtu si Meta dhe Rama janë të shqetësuar nga rikthimi i tij në politikën aktive pas 14 majit.
“Nuk është vetëm ai që është shqetësuar nga dalja ime. Shumë janë shqetësuar nga dalja ime, sepse e kanë monopolizuar debatin publik, duan të dalin vetëm ata të tre dhe kukullat e tyre. Janë shqetësuar shumë. Thelbi i propozimeve të mia është që ajo që i ka ndodhur Shqipërisë në 2008-ën të zhbëhet. Kjo i shqetëson, duan monopol mbi politikën, median, ekonominë. Duan që Shqipëria të mbetet çifligu i këtyre tre personave”, tha Basha.
Ai shtoi se që të tre kanë frikë nga vetingu në politikë. Sipas Bashës, ka ardhur koha që të skanohet pasuria e pushtetarëve.
“Hajde të hapim letrat dhe të tregojmë se kush është peng te kush. Hajde të shohim pasurit e çdo familjari. Pse tremben ata të tre. Le ta nisim me mua dhe jo te ata të tre. Meqë kanë hedhur kamionë me akuza tek mua, ta nisin me mua. Por ama pastaj edhe te ata për të parë nëse justifikojmë apo jo pasuritë ne dhe rrethi familjar. Ky është vetingu i politikanëve. Ligji është në Parlament. Ata duan të godasin këdo që rrezikon sistemin e tyre. Sistemin e kanë të përbashkët edhe pse duket sikur janë në kontradiktë, ata janë bashkë. Sa herë hyn dikush në mes ata janë të rrezikuar”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post