Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me fermerë në fshatin Kurdari të Klosit. Kjo llogaritet si një ndër zonat me prodhimtarinë më të madhe dhe numëron rreth 800 fermerë. Në Kurdari ka 67 hektarë vreshta rrushi. Fermerët thanë se deri tani nuk kanë marrë asnjë subvencion dhe asnjë mbështetje nga shteti.
Basha tha se paratë që duhet të shkonin tek fermerët shkojnë tek 11 miqtë e Edi Ramës, dhe për shpenzime luksi. Me 220 milionë dollarë që kanë përfituar miqtë e Ramës, tha Basha, çdo fermer do të mund të merrte rreth 500 dollarë subvencion.
“Pse nuk keni parë subvencione?! Sepse 11 klientë të Ramës kanë marrë 134 milionë dollarë dhe 92 milionë dollarë të tjerë kanë shkuar për orendi, për sende luksi, për makina, për bileta avioni. Pra, bashkarisht janë më shumë se 220 milionë, janë afro 230 milionë dollarë. 11 miqtë e vet kanë marrë aq sa do të mjaftonin për t’i dhënë çdo fermeri shqiptar, po t’i ndanim barabartë, 500 mijë lekë në vit. Ja ku janë lekët. Nuk është çështje mosdije, është çështje hajdutërie”, tha kreu i PD-së.
NIPT-i që u kërkohet fermerëvë, sipas Bashës, është thjesht justifikim i Edi Ramës që s’ka mbajtur asnjë premtim, pasi fermerët kanë numrin unik të identifikimit.
“Po s’pate NIPT thotë, nuk ekziston fermeri. E di pse ju kërkon të merrni NIPT?! Për alibi. Dhe pasi të merrni NIPT-in, do të gjejë një alibi tjetër, po kapelën ku e keni? Fermerët kudo në Shqipëri, jo vetëm në Mat, nuk kanë parë një lek subvencion me sy. Sot për të justifikuar këtë e para ju thotë merrni NIPT, e dyta ju thotë merrni kredi. Kredia nuk është zgjidhje”, tha Basha.
Lideri i opozitës tha se zgjidhja për fermerët janë subvencionet. Sipas tij, në programin qeverisës të demokratëve parashikohen 100 milionë dollarë subvencione direkte për fermerët.
“Zgjidhja jonë për fermerët, zgjidhja jonë për zhvillimin rural, për bujqësinë, për blegtorinë, për peshkimin, për bletarinë është subvencioni direkt tek çdo fermer. Shuma që ne do të vendosim për të mbështetur femerët do të jetë 100 milionë dollarë në vit. Çdo fermer do të marrë subvencion direkt pa NIPT sepse çdo fermer ka numrin personal të identifikimit që do të shërbejë si identifikimi fiskal i çdo fermeri”, deklaroi Basha.
Diskutime rreth kësaj post