Gjatë një vizite pune në Mirditë, kryetari i PD Lulzim Basha u ndal sërish tek përplasja e policisë së Lezhës dhe asaj të Rrëshenit për 4.2 tonët e drogës të kapura në ish-pularinë e qytetit.
Basha u shpreh se, kjo ngjarje është dëshmia e kthimit të shtetit në një bandë, e cila përplaset mes veti për pazare droge, ndërsa forcën e ligjit e tregon duke dhunuar të pamundurin, të papunin dhe të varfërin.
“U rrethua ish-pularia sepse ishte sinjalizuar prani e madhe e drogës. Çfarë ndodhi?! Policia e Rrëshenit u tërhoq, iku fare nga skena, policia e Lezhës nuk pranonte të ndërhynte. A nuk janë këta policët që i marrin shpirtin qytetarit se nuk ke vënë rripin e sigurisë?! A nuk janë këta që Saimir Tahiri i çon për të marrë fermerin, fshatarin, qytetarin që vë pesë tjegulla në çatinë e vet dhe i rras brenda, i terrorizon, apo për një faturë tatimore, apo për çështje të energjisë dhe kur shkojnë te pularia për të kapur drogën sillen si pulat vetë”, deklaroi Basha.
Sipas tij, në mbi 3 vjet qeverisje, Edi Rama ka treguar se i vetmi shqetësim për të është pasurimi i tij dhe i klientëve të pushtetit, si dhe fama personale me ekspozita dhe promovime libri.
“Sot në Shqipëri kemi një qeverisje e cila shqetësohet vetëm për pasurinë e vetë dhe vetëm për pushtetin e vetë. Sot në Shqipëri kemi një regjim i cili shqetësohet vetëm për paratë dhe pushtetin e vetë. Për paratë dhe pushtetin e vet, kjo qeveri shkel ligjin, mbron kriminelët, godet të pambrojturit. Për paratë dhe pushtetin e vetë Edi Rama e ka shndërruar buxhetin e shtetit në pasurinë e tij private me të cilën pasurohet ai dhe një grusht njerëzish”, theksoi Basha.
Diskutime rreth kësaj post