Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se beteja e nisur në 18 shkurt do të vijojë deri në garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Para protestuesve, kreu i PD tha se nuk kërkojnë një qeveri teknike fasadë, e ndërsa apeloi se çdo kriminel do të largohet nga funksionet publike.
“Beteja e nisur në 18 shkurt do të vazhdojë deri në fitoren e plotë, deri në garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, përmes një qeverie teknike. Ky është mesazhi që kemi thënë çdo ditë, që përsëris jo vetëm për ju, bashkëqytetarë që jeni ngritur për Republikën e re, shumë kush i bindur se kjo qeveri e rënë moralisht do të bjeri së shpejti juridikisht, shtron pyetjen, paraqet dilemën nëse zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme me një qeveri teknike që nuk ka kohën apo pushtetin për të shpërbërë lidhjen kriminale, Edi Rama dhe çeta e tij e babëzitur.
Dua t’ju them se nuk ka asnjë shanc, zero shanc sepse këtë betejë nuk jemi për karriget tona, për fatin e partisë sonë, por për fatin e gjithë shqiptarëve të ndershëm. Ne as nuk kërkojmë dhe nuk do të kërkojmë një qeveri teknike fasadë. Qeveria teknike është mjeti. Kushti, beteja nga e cila nuk kthehemi pa fitore, janë zgjedhjet e lira e të ndershme dhe kjo do të thotë zbatimi deri në një të ligjit të dekriminalizimit.
Ju gënjen mendja, kjo nuk është shfaqje, kjo është luftë dhëmbë për dhëmbë për krimin, për jetë a vdekje për Shqipërinë demokratike, euroatlantike. Çdo kriminel do të largohet nga funksionet publike para se në këtë vend të këtë zgjedhje të lira e të ndershme.
Me Rosh e me Bush sa jeni, nuk keni parë asgjë akoma. Nuk ka vrimë miu ku ti fshihni paratë e vjedhura dhe paratë e drogës. Peshq të mëdhej e të vegjël bëni gati paratë e shqiptarëve ti dorëzoni deri në një. Ne luftojmë për zgjedhje të lira e të ndershme dhe ky është një parim i madh. Ata luftojnë për pushtetin dhe këto janë interesa të mëdha”, tha Basha.
Diskutime rreth kësaj post