Analisti Plator Nesturi shprehet se në zgjedhjet e 25 prillit nuk kemi një betejë mes 2 forcave të mëdha politike, ndërsa LSI mbetet e mënjanuar pasi Basha do të kishte problem rritjen e peshës së saj si pjesë e opozitës.
-Pothuaj në çdo fushatë beteja politike ka qenë mes dy forcave të mëdha politike PS-PD. Mos në këto zgjedhje kemi një luftë tre-paleshë PS-PD-Presidencë?
Pavarësisht peshës mediatike që zë LSI, si dhe peshës që ka shtuar në elektorat në zgjedhjet e fundit, mendoj se sidoqoftë beteja politike do të mbetet midis dy të mëdhejve PS dhe PD. Ndërkohë duke qenë se LSI është pjesë e opozitës, rritja e peshës së saj brenda masës opozitare, mbetet problem për Bashën, dhe jo për PS. Kjo sepse shtimi i peshës së LSI brenda opozitës do të thotë peshë më të vogël për vetë Lulzim Bashën, jo vetëm brenda aleatëve të tjerë të djathtë, por dhe tek vetë anëtarët e PD, të cilët nuk do ta gëlltisnin lehtë një shtim të votave të LSI në kurriz të partisë së tyre.
Demokratët kujtojnë se çfarë arrinte të merrte LSI në koalicionin me ta atëherë kur kish 4 deputetë dhe imagjinohet se çdo të ndodhte nëse pesha midis PD dhe LSI nuk do të kish ndonjë ndryshim relevant. Njëkohësisht vetë koalicioni mund të vihej në dyshim. Koalicioni është më i qartë dhe definueshëm kur ka një parti qëndrore që luan qartësisht liderin. Të paktën në Shqipëri, pasi nëse kemi dy gjelë pretendojnë lidershipin dhe “haremin” e benefiteve të pushtetit, vështirë se paqja e bashkëjetesa të vijojë gjatë. Ndërkohë, përsa i përket Presidencës, ajo nuk është subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 25 prillit por gjithësesi mbetet aktor për këto zgjedhje. Aktor që të paktën është definuar qartë se kë ka kundërshtar. Dhe ai është kryeministri i vendit.
Diskutime rreth kësaj post