Çështja e dekriminalizimit dhe kthimi në parlamenti i deputetit Armando Prenga ishin arsyet që e çuan opozitën sot të bllokonte punimet e seancës plenare.
Ky është shpjegimi që dha sonte në mbrëmje i ftuar në emisionin “Opinion”, kreu i PD-së Lulzim Basha lidhur me ngjarjet në Kuvend.
Basha tha se në mbledhjet e Grupit Parlamentar ka pasur edhe propozime radikale, por ai ka vendosur që reagimet të jenë hap pas hapi.
Sipas Bashës tashmë opozita nuk do të lejojë funksionimin normal të Kuvendit. Kjo sipas Bashës do të zgjasë deri në largimin e të inkriminuarve nga ajo sallë.
Ai dënoi veprimet e Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe Gjykatave që çuan në lirimin e Prengës me “detyrim paraqitje”.
Ai vijoi më tej duke shtuar se nga mazhoranca kanë dalë 5 zyrtarë me precedent kriminalë të cilët duhet të largohen. “Pesë i kanë dalë deri tani: Bushi, Prenga, Frroku. A është e pa precedent kjo që ka ndodhur? I duhen për presion në zgjedhje dhe i përdor për të mbytur zërat kundër në parti”.
Kreu i demokratëve theksoi se zbatimi i ligj të dekriminalizimit është fundi i të inkriminuarve në parlament, bashki e administratë publike.
“Ligji nuk zbatohet pasi kjo mazhorancë refuzoi të kalonte aktin e zbatimit të ligjit që ne palët kemi rënë dakord ta kalojmë nga kuvendi. Ai refuzoi ta kalonte në rend të ditës”, tha Basha.
Gjithashtu, ai tha se opozita është pas çdo proteste që zhvillohet në Shqipërisë, madje edhe pas atyre që zhvillohen nga shoqëria civile.
“Partia Demokratike është pas çdo proteste, edhe pas protestave të shoqërisë civile të Parku i Liqenit”, u shpreh Basha.
Diskutime rreth kësaj post