Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pritet t’u hapë sot rrugë spastrimeve brenda PD. Në 13 qershor PD përmbylli zgjedhjet për kryetarin e ri, por atë duket se e presin të tjera procese. Aktualisht, partia më e madhe e opozitës ka nisur analizën e humbjes që korri në 25 prill, ndërsa u është hapur rrugë zgjedhjeve në PD, ku brenda 30 shtatorit nis rinovimi i partisë dhe kush nuk punoi si duhet në zgjedhjet e fundit parlamentare largohet nga partia. Për këtë arsye, ditën e sotme pritet të mblidhet Kryesia e Partisë Demokratike, në të cilën do të diskutohen një pjesë e raporteve që kanë mbërritur në tryezën e Bashës nga degët demokrate, ndryshimi i statutit të PD dhe përcaktohet axhenda e Kuvendit Kombëtar që do të mbahet në 17 korrik.
Më konkretisht, gazeta ka mësuar se 9 anëtarët e Komisionit të Posaçëm Statutor të ngritur pranë Partisë Demokratike do të bëjnë vlerësimin e propozimeve të mbërritura deri më tani në selinë blu, për sa u përket ndryshimeve të statutit që pritet të miratohen më 17 korrik në Kuvendin Kombëtar. Kështu, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi; nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, si dhe anëtarët e Komisionit të Përhershëm Statutor do të marrin në duar dosjen e plotë me propozimet që janë bërë për të ndryshuar rregulloren mbi bazën e të cilës funksionon selia blu.
Ndërkohë, anëtarët do të filtrojnë edhe idetë më të mira, që do të miratohen nga Kryesia, të cilat më pas do t’i përcillen për votim organit më të lartë të PD, Kuvendit Kombëtar që mblidhet të shtunën e ardhshme. Por sipas informacioneve nga selia blu, mësohet se i vetmi nga anëtarët e Kryesisë që ka kërkuar ndryshim të statutit nëpërmjet propozimeve konkrete, është Fatbardh Kadilli, i cili ka depozituar në selinë blu kërkesën e tij për të reflektuar në statut një organizim të ri të partisë.
Në manifestin e tij politik Kadilli propozon kufizim të mandatit të kryetarit të PD në katër vite në rast humbje në zgjedhje; krijimin e qeverisë hije dhe krijimin e një Këshilli të Urtësh që përzgjedh organet drejtuese të partisë. Ndërkohë janë disa anëtarë të thjeshtë të PD, mes të cilëve anëtari i Këshillit Kombëtar, Rudi Sata që ka depozituar kërkesë për ndërhyrje në statut. Megjithatë, nëse nuk do ketë anulim të mbledhjes, sot Kryesia do të miratojë axhendën e Kuvendit dhe do vendosë nëse do t’i hapë ose jo rrugë ndryshimit të statutit të PD.
Por proceset dhe analizat janë vetëm një pjesë e atyre që po ndodhin brenda Partisë Demokratike, pasi gazeta ka mësuar se në horizont është shfaqur edhe një krisje mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PD, Lulzim Basha. Burime nga selia blu, pohuan se pas shpalljes “non grata” të Berishës nga DASH dhe humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit, raportet mes kryedemokratit dhe ish-liderit demokrat janë të ftohta. Ndërkohë që ditët e fundit njerëz pranë Berishës kanë nisur sulmet ndaj Bashës, teksa i kërkojnë që tregojë nëse ka marrëveshje fluide me kryeministrin Edi Rama apo jo. Pra, Berisha ka hedhur në sulm njerëzit e tij për të shantazhuar dhe për t’i ushtruar trysni shefit të selisë blu.
Diskutime rreth kësaj post