Kreu në detyrë i PD Lulzim Basha ka qenë sot në Mat e Bulqizë ku është takuar me demokratët. Ai ka deklaruar se masakra zgjedhore më 25 prill nuk ishte një padrejtësi që nuk iu është bërë vetëm demokratëve, por Shqipërisë dhe shqiptarëve. Basha theksoi se misioni i ndryshimit mbetet misioni i demokratëve.
“Mirë se ju gjejë vëllezër dhe motra matjanë. Së pari dua t’ju falënderoj nga zemra që ndodhemi së bashku në këtë sallë plot një muaj pas një beteje të jashtëzakonshme, të paprecedentë dhe të përmasave të pabarazisë për të cilat do të hyjnë në historinë 30-vjeçare të pluralizmit. Pa diskutim, ju demokratët e Matit, demokratët e Shqipërisë Partia Demokratike u fut në këtë proces e vetëdijshme që po futej në një proces të pabarabartë. Një betejë që nuk kishte asnjë lidhje me rregullat e demokracisë. Ne u futëm në një betejë, përballë një kundërshtari politik i cili e trajtoi procesin zgjedhor si një masakër elektorale të përgatitur në detaje nga momenti i parë deri në momentin e fundit.
I cili përdori kundër qytetarëve shqiptarë dhe në veçanti demokratëve të gjithë arsenalin e shtetit, të buxhetit, të parave të korrupsionit, të bandave kriminale dhe të favoreve tjera të cilat ju i dini fare mirë dhe nuk ka nevojë t’i rreshtoj këtu, që nga tolerimi me kusht i rritjes së bimëve narkotike, tek tolerimi me kusht i ndërtimeve pa leje, tek legalizimet për vota, tek blerja e mjerimit që ka mbjellë në sofrat Matjane për një grusht parash e gjithçka tjetër. Po kështu shoh në sytë tuaj zemëratën për këtë padrejtësi që në fakt nuk iu është bërë vetëm demokratëve por Shqipërisë dhe shqiptarëve”, deklaroi Basha.
Ai tha se kjo zemëratë duhet të jetë dhe burim i forcës tonë. “Mund të themi se pavarësisht të gjithë asaj që ka ndodhur, shkrirjes së shtetit me partinë, siç e thotë edhe raporti paraprak i OSBE-ODIHR, roli i krimit të organizuar, që dyfishoi numrin e kriminelëve në parlament, ku u hoq një Tom erdhën tre Toma, u hoq një Aqif, erdhën dy Aqifa e kështu me radhë. Ku mbetën tre të pandehurit e dosjes 339, të cilët mbajnë peng negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, e kështu me radhë. Këtu vetë në Mat me dy simbolet e krimit me Malajt e Bashkisë dhe Malajn e një nga protagonistët e dosjes 184, pavarësisht të gjithë kësaj ne sollëm një arritje të madhe për demokracinë dhe për shqiptarët, duke u bërë më të fortë, duke u rritur dhe duke mos u lëkundur para këtyre presioneve, ne dolëm nga kjo betejë dhe u konfirmuam si forca e vetme morale në vend”, tha Basha.
Kreu i PD deklaroi më tej se beteja ishte dizenjuar për të shkatërruar jo thjeshtë vullnetin e shqiptarëve por shpirtin e Partisë Demokratike.
“Pavarësisht prej pakënaqësive dhe mosmarrëveshjeve, pavarësisht prej pikëpamjeve të ndryshme që është normale që të kemi në një parti të hapur të debatit siç, është partia jonë, jemi ne që prapë se prapë kemi mbi supe misionin e ndryshimit që morëm para shqiptarëve dhe e çuam me 25 prill në një pikë kulminante ndonëse jo finale të betejës tonë.Në këto kushte të vështira ku gjendet Shqipëria, pas një procesi që s’i dha asnjë përgjigje pyetjeve të mëdha të shqiptarëve, sepse të vetmit që mund t’i jepnim përgjigje ishim ne, ishit ju që dolët në këtë betejë me forcën e zemrave tona si asnjëherë tjetër që nga 91-shi pa asnjë pushtet, përveç pushtetit të shpirtit, të vlerave dhe të mendjes tonë njësoj si qytetarët, bashkë me qytetarët dhe për qytetarët. Pavarësisht prej të gjitha këtyre diçka është dhe mbetet përgjegjësia jonë dhe shqiptarët s’kanë askund tjetër ku ta kërkojnë, matjanët s’kanë kurrkund tjetër ku ta kërkojnë. Misioni i ndryshimit mbetet misioni i demokratëve, mbetet misioni i Partisë Demokratike”, u shpreh kreu i PD.
Sipas Bashës, kjo diferencë midis përqasjes tonë dhe përqasjes së kundërshtarit bëri të ndodhte diçka që në kushte të tjera mund të konsiderohej mrekulli. “Që pavarësisht shumëfishimit të terrorit dhe masakrës zgjedhore jo vetëm që nuk na e ulën dot kokën, por përkundrazi sot jemi edhe më të fortë, edhe më të vendosur për ta çuar këtë betejë deri në fund, sepse për demokratët e Matit, të Klosit, Dibrës dhe të gjithë vendit kurrë s’ka qenë i rëndësishëm numri i herëve që kemi rënë, e rëndësishme ka qenë fuqia me të cilën kemi ditur të ngrihemi e të frymëzojmë qytetarët për të na ndjekur në ato beteja dhe ato objektiva ku s’ka asnjë forcë tjetër politike tjetër t’i drejtojë”, tha Basha.
Ai u shpreh më tej se lidershipi i tij nuk ka qenë lidership kriminelësh, ka qenë një lidership sakrificash.
“Keni qëndruar në krahun tim në shumë prej këtyre betejave, në një 8-vjeçar të mbushur me sfida po ku ne nuk jemi zvarritur, as kemi bërë kompromis me të keqen, përkundrazi jemi përballur. Lidershipi im nuk ka qenë lidership kriminelësh, ka qenë një lidership sakrificash. Ndaj, këtu dua të ndalem për një çast dhe t’ju siguroj që nuk ka fjalë në fjalorin e pasur të gjuhës shqipe që mund të shprehë përmasat e vërteta të mirënjohjes që ndjej në shpirtin tim për sakrificën tuaj si dhe t’ju them se për këtë sakrificë dhe vetëmohim, sa të kem frymë, nuk do të resht të bëj asgjë në dorën time, nuk do të lë asgjë pa bërë derisa çdo pikë djerse e sakrificës tuaj, të shpërblehet. Por me përgjegjësinë që na kanë dhënë shqiptarët, me përgjegjësinë që na kanë ngarkuar demokratët kudo që ndodhen, atë për të sjellë ndryshimin, jam këtu për t’ju kërkuar ndihmën tuaj. Jam këtu për t’ju kërkuar ta vazhdojmë bashkë këtë përballje, ta vazhdojmë bashkë këtë betejë! Natyrisht, të vetëdijshëm se sa më shumë duhet të bëjmë, duke u nisur nga unë dhe sa më shumë të bëjmë, aq më shpejt do t’ia shkurtojmë ditën regjimit”, u shpreh Basha në Mat.
Ndërsa në Bulqizë, kreu i PD kërkoi nga demokratët ta vazhdojmë bashkë betejën krah njëri-tjetrit, me besimin e madh, mos të hedhim poshtë atë që kemi ndërtuar së bashku dhe kjo është ftesa ime ndaj çdokujt që e ka zemrën apo mendjen të turbulluar, është që të mos gjejë arsye apo të krijojë arsye për të rrëzuar atë që keni ndërtuar dhe kemi ndërtuar së bashku deri më sot, falë sakrificës së gjithsecilit prej jush.
“Ndaj, të diskutojmë nga afër shqetësimet, mendimet, kritikat, rrugëdaljet, nga ana tjetër, le të jemi të qartë se kjo garë e ka dhe një disavantazh. E ka dhe një disavantazh dhe disavantazhi që e njohim fare mirë ne këtu, unë, ju, e njeh dhe kundërshtari ynë. Disavantazhi është që pas kësaj qëndrese të gjatë, ku kemi faktuar vendosmërinë tonë, dorëzimi përballë atyre që e konsiderojnë 25 prillin, fitore të Ramës dhe jo një masakër zgjedhore, mund të japë shkak një përçarjeje të re në gjirin tonë dhe këtë ne nuk mund ta lejojmë. Kjo është arsyeja se pse në Këshilli Kombëtar, siç e dinë anëtarët e Këshillit Kombëtar ishin këtu, para se të niste ky proces, i bëra një thirrje: ‘Ndani mendjen, është masakër zgjedhore apo është fitore e Edi Ramës, se në qoftë se nuk është masakër zgjedhore, por është fitore e Edi Ramës, kjo punë nuk bëhet kështu’. Atëherë, unë e jap dorëheqjen këtu, në këtë moment.
Por në qoftë se jemi të gjithë, siç jemi dëshmitarë se kjo është masakër zgjedhore e një regjimi, atëherë ejani të vazhdojmë betejën deri në fund drejt një stacioni final që është rrëzimi regjimit që është fitorja e demokracisë dhe e Partisë Demokratike”, deklaroi Basha.
Diskutime rreth kësaj post