Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në Parlament në orët e vona të seancës, duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama tha se kriminalizimi dhe droga janë e reja, ndryshimi mes 2013 dhe 2017.
“Në 2013 ti erdhe në pushtet me krimin, me aleancën e krimit apo sic e thanë analistët të cilët për arsye jo kaq misterioze mbajnë gjithmonë ison tënde, me aleancën e qelbësirave. Dhe kjo degjeneroi me kriminalizimin e plotë të shtetit. Kush i solli kriminelët në Parlament? Falë ligjit të dekriminalizimit që PD dhe unë të detyruam ta pranoje disa nuk i ke më këtu. Por ke të tjerë këtu, që kanë gënjyer në formularët e dekriminalizimit dhe që do të përballen me pasojat politike dhe kriminale të këtyre akteve, sikurse ke ushtarë të mafies dhe të drogës që nuk i lidh asgjë me PS. Kriminalizimi dhe droga janë e reja, ndryshimi që kërkove mes 2013 dhe 2017”, u shpreh Basha.
Basha theksoi se sfida europiane nuk është e përbashkët, pasi për të Rama është pengesa.
“Sfida europiane nuk është e përbashkët. Në sfidën europiane ti je pengesa. Nuk të vjen mirë kur të vijnë emisarët europianë dhe ta thonë sa në zyrë sa në konferenca për shtyp, që droga është një kusht shtesë për anëtarësimin, për hapjen e negociatave. Këtë problem nuk e kemi krijuar ne. Ne të kërkuam të hiqje dorë nga krimi. Po ti nuk hiqje dorë nga kjo lidhje, ndaj iu drejtuam partnerëve ndërkombëtarë që të detyruan të pranoje Ligjin e Dekriminalizimit, por një ligj që sot e kësaj dite nuk zbatohet”, tha më tej kreu i PD-së në foltoren e Kuvendit.
Diskutime rreth kësaj post