Nga Ardit Rada
Në muajin e tij të fundit në detyrë, Adriatik Llalla duket se po i bën shërbimet e fundit opozitës së sotme, që si mazhorancë e djeshme e zgjodhën atë Kryeprokuror në vitin 2012. Dhe ky shërbim nuk lidhet vetëm me tentativën për ta prangosur ish-ministrin e Brendshëm përmes ‘dyshimeve të arsyeshme’.
Pas dështimit përmes një shfaqje komike para Këshillit të Mandateve, Prokuroria duket më tepër e vendosur për t’u ballafaquar politikisht me mazhorancës, sesa ta konsumojë kohën për të siguruar prova për Saimir Tahirin. Sepse nëse do të kishte gjetur prova këto orë, i pari do ta merrte vesh Sali Berisha që do të na i thoshte edhe neve në gojën e ‘prokurorit dixhital’.
Përmes një deklarate krejtësisht me përmbajtje politike, Prokuroria e Krimeve të Rënda që është nën varësinë e Llallës ankohej e sulmonte kreun e PS-së, madje edhe duke i përmendur Ivo Sanaderin dhe Adrian Nastase, si shembuj të kryeministrave të arrestuar. Por kjo nuk është e gjitha; Deklarata e Llallës, nxjerrë nga institucioni që drejton Besim Hajdarmataj, e pranon se Rama foli si kryetar i Partisë Socialiste çka do të thotë se po i përgjigjej si opozitë…
Problemi i dytë është paralajmërimi i vazhdueshëm i Lulzim Bashës. Me pak vëmendje, ditën e sotme Basha nxorri edhe një detaj. Sipas tij si pjesë e hetimeve pritet të dalin emra ministrash të tjerë socialistë si të përfshirë në skandale me eksponentë të krimit. Kjo do të thotë se Lulzim Basha foli si Kryeprokuror që është në dijeni se çfarë do të nxjerrin hetimet në vijim (?!).
Ambiciet politike të Adriatik Llallës mund të jenë po aq të mëdha, sa edhe dëshira e Lulzim Bashës për të qenë kryeprokuror e për të çuar pas hekurave çdo socialist.
Por deri këtu mbetet në nivel dëshirash. Së paku në katër vitet e fundit njerëzit prisnin një Adriatik Llallë si Kryeprokuror të vërtetë dhe një ish-ministër të Jashtëm, Transportesh dhe Rendi si Lulzim Basha para Drejtësisë. Në mos për të vrarët e 21 Janarit, së paku për milionat që humbën rrugës së Kombit. Ose ose, për ujin e detit…
/JavaNews
Diskutime rreth kësaj post