Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka drejtuar një mesazh pjestarëve të diasporës, ku dhe sqaron arsyet pse nuk ka qënë në samit. Basha thotë se e vetmja mundësi që i dhanë është t’i përshëndeste në mbrëmjen gala të qeverisë, ku ai nuk mund të marë pjesë.
Braktisja e Shqipërisë thotë Basha në mesazhin e tij është kërcënimi kryesor ndaj të ardhmes së vendit.
“Braktisja e Shqipërisë është kërcënimi kryesor ndaj të ardhmes së vendit dhe të vetë kombit tonë. Pak ditë para se ju të vini në Tiranë, mbi 100 mijë shqiptarë kanë aplikuar për të disatën herë për të emigruar në SHBA, ndërkohë që dhjetra mijra të tjerë përpiqen çdo vit të emigrojnë në Europë, Kanada dhe kudo tjetër në botë. Në 5-10 vitet e ardhshme, numri i shqiptarëve të lindur në Shqipëri të cilët janë vendosur përgjithmonë në vende të tjera do jetë më i madh se ai i atyre që jetojnë në Shqipëri”, shprehet Basha.
Ai vijon më tej duke thënë se shqiptarët kanë ikur, po ikin dhe duan të ikin masivisht për arsyen më të rëndësishme njerëzore: atdheu i tyre nuk ju ofron mundësi për një jetë të mirë dhe të denjë. “Ju e dini më mirë se unë sa e madhe është dhimbja e ikjes, që të ther në zemër dhe në gjithë qenien, por ju jeni dëshmia e vërtetë sa i madh është dëshpërimi kur kupton se atdheu nuk të jep asnjë shpresë për të përmbushur qëllimet dhe ëndrrat e jetës me punën, talentin, zotësinë dhe ndershmërinë tënde”, thotë Basha.
Ai i kërkon pjesëmarrësve në samitin e diasporës që të përfshihen në mënyrë të drejt për drejtë me kulturën e tyre demokratike në politikën shqiptare, në shërbim të vlerave.
“E drejta e votës për emigrantët, lehtësimi i marrjes së shtetësisë së dyfishtë, përfaqësimi juaj i vërtetë në vendimmarrjet e rëndësishme politike, nxitja dhe mbrojtja e investimeve të diasporës, mbështetja shtetërore për arsimin, kulturën, artin dhe sportin në komunitetet e diasporës, janë disa nga prioritetet kryesore të projektit tim dhe të Partisë Demokratike për Diasporën”, shkruan në mesazhin e tij z. Basha.
Diskutime rreth kësaj post