Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se kanë hyrë në një luftë të ftohtë me njëra-tjetrën. Gazeta e ka deklaruar më parë se përplasjet dhe divergjencat brenda opozitës janë shtuar ndjeshëm, por këto sherre kanë arritur kulmin ditët e fundit.
Gazeta ka mësuar se shkaku kryesor që ka sjellë këtë përplasje mes PD dhe LSI është fakti se kryedemokrati Lulzim Basha ka lënë në pritje Monika Kryemadhin sa i takon bashkëpunimit me këtë forcë politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Mësohet se Basha deri më tani ka shprehur interes që të çojë përpara bashkëpunimin me aletatët e tij tradicionalë si kreun e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, etj., por për Lëvizjen Socialiste për Integrim nuk ka vendosur akoma se si do të veprojë.
Madje, duke qenë se ndryshimet kushtetuese të votuara në 30 korrik i hapin rrugë hapjes së listave dhe heqjes së koalicioneve, Basha po shikon mundësinë që disa nga besnikët e tij, aleatët pritet të përfshihen në listën e Partisë Demokratike, në mënyrë që t’ju sigurojë atyre futjen e sigurtë në Parlament. Pra, në një farë mënyre Basha pritet që të dalë me një listë të përbashkët me aleatët e tij tradicionalë, në mënyrë që ata të mos mbeten jashtë Kuvendit të Shqipërisë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2021. Megjithatë, kjo praktikë nuk është e panjohur, pasi PD e ka aplikuar edhe më parë në zgjedhje, duke përfshirë në listat e saj krerët e partive aleate.
Basha i lëkundur për të shkuar me listë të përbashkët me LSI
Por ndryshe nga qasja që pritet të ketë me aleatët e tij tradicionalë sa u takon zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, demokratët duken të lëkundur për të shkuar me listë të përbashkët në zgjedhje me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Mësohet se arsyeja kryesore që kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka lënë në pritje Kryemadhin, është procesi i nisur i përzgjedhjes së kandidatëve për deputet që ka nisur selia blu. Po ashtu, mësohet se një pjesë e zyrtarëve të PD dhe anëtarësisë i kanë kërkuar Bashës që nuk ka pse përfshin në listat e Partisë Demokratike emra nga LSI, pasi PD dhe baza i ka bërë propozimet e saj dhe tanimë janë në pritje të vendimit final që do të marrë komisionin i ngritur në selinë blu. Pra, sipas informacioneve mësohet se baza nuk e do përfshirjen e LSI në lista të përbashkëta, në një kohë që ajo ka propozuar mjaft emra dinjitozë që mund të garojnë nën siglën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Madje, këto shqetësime dhe kërkesa i kanë artikuluar edhe në takimet e fundit të strukturave të PD në të gjithë vendin.
Baza kategorike kundër LSI
Mirëpo nga ana tjetër gazeta ka mësuar edhe disa detaje të tjera se përse demokratët janë të lëkundur për të shkuar me listë të përbashkët në zgjedhje. Mësohet se baza demokrate teksa është shprehur kundër bashkëpunimit dhe koalicionit me partinë e Kryemadhit, janë shprehur se me këtë forcë politike ka më shumë gjëra që i ndajnë se sa e bashkojnë. Madje, duke qenë se vitin tjetër pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare, demokratët janë shprehur se një koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Socialiste për Integrim do ta dëmtonte tej mase Partinë Demokratike, pasi për ta LSI është një parti që shkon nga fryn era dhe se asaj nuk duhet që t’i zihet besë. Megjithatë, mësohet se për demokratët kjo është një strategji e mirëmenduar, pasi në rast se ata dalin forcë e parë në zgjedhje dhe nuk kanë nevojë që të kenë ndihmën e partive të tjera për të formuar qeverinë, shanset e bashkëpunimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim janë zero. Pra, demokratët nuk e duan një bashkëpunim me LSI, pasi kjo e fundit do ta përdorë këtë raport për interesat e saj.
Diskutime rreth kësaj post