Debati për kufirin detar mes Greqisë dhe Shqipërisë duket se ka krijuar ndarje edhe brenda Partisë Demokratike. Në 2009 ishte Lulzim Basha ai që firmosi paktin me Greqinë, ndërsa pas shpinës së tij ndodhej Sali Berisha, i cili bekoi marrëveshjen.
Deri më sot ish-kryeministri nuk ka bërë asnjë hap pas, pasi në çdo dalje mediatike e ka mbështetur marrëveshjen e 2009. Berisha është shprehur vazhdimisht se ajo është marrëveshja më e mirë. Nga ana tjetër, lideri Basha i është shmangur gjithmonë kësaj çështjeje.
Por dje pati një reagim zyrtar nga Partia Demokratike, e cila ka krijuar mjaft habi, pasi në këtë deklaratë bie në sy fakti se Basha ka bërë një hap pas. PD shprehet se pakti i ri me Greqinë duhet të bëhet sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra duket se Basha është distancuar nga pakti i 2009 dhe ka lënë të vetëm ish-kryeministrin.
“Kjo çështje ka nevojë për transparencë dhe informacion të detajuar dhe sqarues se çfarë po ndodh, cila është hapësira ku zgjerohet shteti grek, a shkelen ligjet ndërkombëtare që rregullojnë këto çështje dhe a cenohen të drejtat dhe hapësira detare e Shqipërisë. Në vend të transparencës dhe informacionit, kryeministri Rama ka zgjedhur të fshihet pas sulmeve dhe gjuhës vulgare. Ndërkohë qeveria vazhdon të mos japë asnjë informacion mbi çfarë po ndodh me negociatat për delimitimin detar me Greqinë. Partia Demokratike mbështet zgjidhjen e çdo çështje të mbetur pezull në marrëdhëniet me fqinjët përmes negociatave transparente duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, por në asnjë mënyrë duke cenuar të drejtat dhe integritetin territorial të Shqipërisë”, – thuhet në deklaratë.
Replikon Rama
Por pas deklaratës së PD, ka reaguar kryeministri Edi Rama. Përmes një postimi në rrjetin social, shefi i qeverisë përmes ironisë shprehet se Basha, i cili ka dalë për të mbrojtur detin, ka ngatërruar sapunin për djathë.
“Hapu det se vajmedet ka dalë të të mbrojë Lulzimi me PD! Të qash për ata që vazhdojnë e hanë për djathë sapunin e PD apo të qeshësh me këtë artist që s’e ka shokun për të bërë sikur? Je i madh Lul, sinqerisht, shyqyr s’u more me shitje djathi se do kishim mbetur pa copën e sapunit”, – shkruan Rama.
Por pas këtij reagimi të Ramës ka replikuar kreu demokrat Lulzim Basha, i cili shprehet se kryeministri duhet të lërë dërdëllitjet prej rrugaçi duke sulmuar kryetarin e opozitës, por të bëjë transparencë se ç’po ndodh me negociatat Greqi- Shqipëri.
“Lëri dërdëllitjet prej rrugaçi Edi Rama. Bëj transparencë çfarë po ndodh me negociatat për detin. Historitë me sapun ruaji se do të duhen më vonë”, – tha Basha.
Kryeministri Edi Rama vijoi më tej me replikën në distancë me kryedemokratin Lulzim Basha. Rama shkruan në rrjetin social Tëitter se negociatat janë ndalur prej kohësh, që pas ndryshimit të qeverive në Greqi dhe nuk ka më asnjë të re nga ai front. Në këtë replikë, Rama i kujtoi Bashës së ka qenë ai që e ka firmosur këtë marrëveshje, e cila u rrëzua nga Kushtetuesja në vitin 2010.
“Negociatat Lulëzim janë ndalur prej kohësh, që pas ndryshimit të qeverive në Greqi! S’ka asnjë të re nga ai front, përveç dallgëve të ligësisë e padijes! Po ti mos bëj sikur nxehesh, se s’ta kam unë fajin kur bën sikur s’je ti që e firmose atë marrëveshjen e famshme që rrëzoi GJK! Çfarë kanë qenë për të thënë janë thënë me kohë e me vakt, marrëveshje akoma s’ka, po ti dëgjo mua, gjej ndonjë temë tjetër për teatrin tënd, se me ata që i besojnë kësaj marrëzisë së detit do dalësh edhe më i lagur se në 2017! Ta kam thënë, këtë popull për budalla s’e bëni dot”, – shkruan Rama.
Vijimi i replikave
Por pas këtij reagimi nga ana e kryeministrit, reagoi Basha, i cili i kërkoi sërish Ramës të bëjë transparencë e mos të fshihet. Më tej ai theksoi se Rama është i mbytur në detin e marrëveshjeve të fshehta në kurriz të shqiptarëve.
“Po ta përsëris Edi Rama, bëj transparencë e mos u fshih pas gërrvërreve bajate. As servilët e fundit që të kanë mbetur nuk qeshin me to. Nuk je thjesht i lagur, je i mbytur në detin e marrëveshjeve të fshehta në kurriz të shqiptarëve”, – tha Basha.
Diskutime rreth kësaj post