Nga Agron Gjekmarkaj
Gjepurat e pjekura në hell me aromën e tyre marramendëse zënë kryet e vendit në kafet tona gjithë ditën e lume. Ato duken si pjesë e mistikes së përditshme. Por edhe te gënjeshtra më e madhe ka një të vërtetë të vogël, thotë një fjalë e urtë kineze. Naivitet i thekur do të ishte të besohej legjenda se Basha ka shitur votat në terren, se ka pranuar humbjen në tavolinë etj., etj.
Një gjë tjetër ka ndodhur. Fitorja triumfaliste e Ramës dhe humbja katastrofike e Bashës aso dite e këndej mbushin me ujë të gjitha hinkat e drunjta, të cilat vënë në lëvizje me gulç mullirin e të pezmatuarve. Mielli që del prej tij, i gatuar në magjen e zemërimit qet bukë të mjaftueshme për një mijë e një net, si në përrallat arabike ku rrëfehet saga e Lulzim Bashës jo si “hajduti i Bagdadit”, por si “hajduti i PD-së”! Pat nga ata që, të zënë në lakun e fatit të keq, i cili rezervon ushtrime melankolie të pabesueshme për logjiken, thanë se Rama e preu në besë Bashën.
Ngjanin këto si hukama pezmi, frut i befasisë me të cilën Rama i mbështolli të gjithë me zhaurimën e tepsisë, kazanit dhe timonit, por ënde më tepër pezëm ndaj vetes që mbeten pa tekst nga gënjeshtra dhe fyerja e inteligjencës që Basha u rezervoi. Meqenëse mosha nuk ua fal naivitetin, atëherë shpiken besëprerjen e Ramës, e cila qoftë e vërtetë, qoftë e rreme, s’ka kurrfarë rëndësie në një klimë politike ku refreni është “vita tuamors mea”. Basha po kërkonte nën strehën e çadrës “kokën” e Ramës.
Ky, me marrëveshjen “hëngri kokën” e Bashës. Stefan Cvajgu tregon një episod kur rrëfen jetën e Fushesë. Pasi ky i fundit e kishte gënjyer Barrasin që ai të votonte kundër vetes, mes piskamave i tha “po tani ç’të bëj, o tradhtar?”… ai i përgjigjet “bëj ç’të duash, o torollak”! Personalisht nuk mendoj se Basha është shitur te Rama, por tek ambicia e tij e mbështetur te një logjikë politike bijë e traditës sonë.
Lulzim Basha e ka ndier humbjen, kësisoj nga salloni i shtëpisë së tij qiti një listë eunuke të pastruar nga të papriturat sak me këtë vetëdije. Ndaj sot kur flet për bashkim, ngjall mosbesim mes të qeshurash. E drejta për të ndryshuar është humane. Asaj nate plot duhi maji, tek bënin marrëveshjen, prej Ramës i bie të ketë marrë mbështetjen që ai pas zgjedhjeve do ta njohë për kryetar të PD-së përtej zhvillimeve të brendshme që do të ndodhnin aty, pa u përzier në diversion.
Rama, i cili për katër vite e ka konsideruar Bashën si një “dordolec” politik, befas, gjithë xhentilesë, po e trajton atë si kryetar me shpenzimet e Sali Berishës, të cilit po i zvogëlohet hapësira në Kuvend, se në pah duhet të dalë “djali i mirë”. Kryeministri, për të faktorizuar Bashën, ka filluar procesin e Reformës Zgjedhore. Basha do të vetekspozohet si fitimtar, ndërsa Rama si babaxhan kompromisi përtej ngutit të djeshëm të kryetarit të PD-së për të krijuar një ngjarje tensionuese me ngulmin që të flitej për këtë nismë. Më me vend do të kishte qenë një interpelancë për krimin e organizuar për të cilin më shqetësim shfaq Ambasada e SHBA-ve, sesa aktorët politikë.
Mosthirrja e kësaj interpelance është kohë e çmuar për qeverinë. Reforma mund të presë disa orë, apo disa ditë. Basha, ky Odise i palodhur udhëtimesh në detin e humbjeve, ka nevojë për disa sfida dhe “fitore” të vogla. Ato do t’ia japë Gramoz Ruçi dhe Kryeministri me xhymertllek sulltanor. Basha pak muaj më parë u shit tek etja e tij e hazdisur për t’u shndërruar në padron i PD-së. Me nxitimin që duhet për të kryer një “vjedhje”, Lulzim Basha përcaktoi bashkëpunëtorët e tij si admirues të këtij vesi. Mbi këso vizionesh të kërtylura në banalitet, PD mori fizionominë që ka sot.
Një qeverie tejet të konsumuar, në fytyrën e së cilës rrinë si nishane krenarie korrupsioni, trafiku, lidhjet me krimin e organizuar, propaganda rilindase dhe paaftësia organike, opozita i erdhi në ndihmë duke trembur qytetarët më shumë se ajo, me atë çka ofroi për ta. Sot duket sikur ka disa copa PD-je. Një copë të votuar nga 450 mijë vetë e kryeson Lulzim Basha, një copë tjetër të kompozuar nga kritikët e Bashës, të cilët kanë zyrtarizuar “lëvizjen për ringritjen e PD-së”, një copë tjetër nga grup të rinjsh, si dhe copa e fundit rreth zonjës Topalli dhe ish-themeluesve Ruli, Imami, Selami, radikalë në qëndrim ndaj Bashës, por të painkuadruar.
Zonja Topalli njihet për afinitetet që ka me Sali Berishën. Kjo e mbështjell me mister sjelljen e saj. PD-së në këtë rrugëtim, nga humbja e vitit 2013 në humbjen e vitit 2017, i mungojnë 230 mijë vota e po kaq për të fituar. Pra, i duhen diku rreth 850 mijë mbështetës e votues për t’u ulur në karrigen e ngrohtë të pushtetit. Lulzim Basha ka vulën, strukturat dhe sigurisht edhe simpatizantë të tij. Të tjerët, secili nga pak, një pjesë të së drejtës, por jo padronancën mbi të. Në raport me konsumimin e imazhit sipas hierarkisë dhe përgjegjësive, sigurisht edhe kritikët e Bashës nuk është se adhurohen dhe se populli po i pret me padurim si shpëtimtarë.
Fati i karrigeve të tyre nuk është drama e vetme e këtij vatani plot derte. Zulma e tyre është se Basha sot shfaqet mujshar i paaftë dhe i zëvendësoi me persona komikë, pa kurrfarë transparence. Çfarë natyre do të ketë PD e së nesërmes varet shumë nga qëndrimi qe do të mbajë Basha tani.
Sot kjo Parti është thjesht një parti e Lulzim Bashës. Mundësitë janë dy: ose një bashkim pa kushte ku të kthehet vota e lirë dhe kolegjialiteti, ku secili të vihet në diskutim, i pari Basha; ose zgjedhja e totalitarizmit të brendshëm. Bashkimi mekanik s’do të jepte asnjë rezultat, nëse PD nuk rishpik vetveten, nuk gjen fabulën, misionin dhe elitën e saj të re e përfaqësuese. Përzhitja e imazhit duket nga larg si faqe mali e djegur përkundruall. Shenjën e njëshit PD e ka patur gjithmonë tejet të fortë, por Lulzim Basha s’e ka karizmën, energjinë, inteligjencën, idealizmin e viteve të para, kulturën jo e jo dhe, sidomos instinktin politik të Sali Berishës.
Sot për sot ngjan një njësh që s’ka fuqi të marrë numra nga pas. Nëse Basha rifiton pozitën e tij si kryetar pas një procesi të pakontestuar, nuk ka arsye që të mos pranohet. Por kjo frikë e mban peng Bashen dhe e çoi atë drejt zgjedhjeve të kontestuara. Një pyetje sëmbon vetvetiu, gjithsesi bijë e pesimizmit aktual: A mundet ai ta çojë PD-në në fitore pas katër vitesh?
Ata që e kanë mbështetur Bashën ndër vite, kanë besuar duke gjykuar nga retorika e tij se ai do të shndërrohej në antimodel në raport me traditën e partive shqiptare se do të ishte personi që me modesti do të sillte një frymë të re standardesh demokratike, por në fakt u deh nga avujt e frymës së vjetër teksa i rrinte pranë nargjilesë. Dështimet e paeupura të Bashës nuk duhet të na gezojnë, ndryshimi i dëshirueshëm po.
Sot kemi një PS të Edi Ramës, ku është vetë zot e vetë shkop, një LSI të Monika Kryemadhit, ku as miza nuk pipëtin pa leje të saj dhe një PD të Lulit, i cili po tenton të bëhet zot i një grigje të vogël e të çoroditur pa hiret e dikurshme pickuar nga koha. Në vitin 2003, At Zef Pllumi, të cilin Basha pak ditë më parë e quajti model të përjetshëm në të kërkuarit e lirisë, pat shkruar një artikull të famshëm “Demokraci me dy diktatorë”. Sot demokracia është më e konsoliduar. Ajo ka tre “diktatorë”, njëri prej tyre edhe shërbëtor.
Diskutime rreth kësaj post