Partia Demokratike mund ta përjashtojë ish-kryeministrin Sali Berisha nga grupi parlamentar. Pas sekretares për të përndjekurit Jonila Godole, dje ka ardhur një deklaratë e fortë edhe nga një tjetër person që njihet si i afërt me kryedemokratin Basha. Anëtari i Kryesisë, Fitim Zekthi në një studio televizive paralajmëroi se PD mund ta përjashtojë Berishën nga grupi parlamentar.
“Zoti Berisha ka thënë vetë që do të jetë në Parlament. Kjo nuk ka diskutim. PD nuk mund ta ndalojë futjen e Berishës në Parlament pasi ai është një deputet i zgjedhur nga shqiptarët. Aman Partia Demokratike mund të marrë në konsideratë një vendim të saj për të mos e cilësuar atë pjesë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, pra ky është diskutimi. Ky është gjykimi im. Mesa di unë PD e ka pasur një qëndrim në lidhje me këtë çështje”, tha Zekthi. Duke qenë se ai është anëtar i Kryesisë së PD, sinjalet janë se këtë javë që vjen mund të vuloset largimi i Berishës nga PD.
Kjo javë duket se do të jetë vendimtare për ish-kryeministrin Sali Berisha. Ambasada e SHBA ia ka bërë të qartë Bashës se para mbledhjes së Parlamentit ai duhet të dalë me një qëndrim publik për çështjen e Berishës, ndryshe PD do të hajë bar. Sinjalet ishin se Këshilli Kombëtar i mbledhur të hënën e kësaj jave do të dilte me një qëndrim, por ishte vetë Berisha ai, i cili mori në dorë situatën. Ai shkoi në mbledhje dhe askush nuk pati guxim të fliste kundër tij, ndërsa më pas i shkoi në zyrë Bashës. Por sipas burimeve, Basha po mendon të mbledhë Kryesinë e PD për të mbajtur një qëndrim ndaj Berishës. Në Kryesi ai futi të gjithë të besuarit e tij dhe nuk do e ketë të vështirë të dalë kundër paraardhësit.
Zekthi është anëtar i Kryesisë së PD për herë të parë dhe një njeri shumë afër Bashës. Ky i fundit e futi në politikë në vitin 2017, ndërsa gjithë këto kohë e ka pasur këshilltar. Ashtu si Godole edhe Zekthi duket se po flasin me porosi të Bashës, i cili dje i dërgoi silurin e dytë ish-kryeministrit. Përmes Godoles, Basha i tha Berishës që të distancohet vetë. Por ky i fundit reagoi ashpër si vetë në rrjetet sociale, ashtu dhe përmes njerëzve pranë tij, duke kërcënuar Bashën dhe duke e bërë të qartë që nuk ka ndërmend të largohet. Por pas qëndrimeve të tij erdhi deklarata e Zekthit, ku është një tjetër mesazh për Berishën se nëse ai nuk dorëhiqet, PD mund ta largojë nga grupi parlamentar dhe ai të qëndrojë i vetëm në Kuvend. Situata duket se është nxehur tashmë. Qëndrimi i Godoles u publikua nga “RD”, e cila më pas e fshiu. Ndërkohë kreu i grupit Alfred Rushaj kërkoi nga emrat e rinj që të mos flasin pa u konsultuar. Sipas kësaj logjike, Zekthi duhet të jetë konsultuar para se të fliste. Megjithatë sinjalet janë të qartë, se java që vjen do jetë shumë e nxehtë për PD.
Diskutime rreth kësaj post