Edhe pse ditët kalojnë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk e ka vendosur ende se si do të hyjë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021, duke futur në ankth aleatët e tij tradicionalë.
Vetë aleatët e tij si Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i kanë ndezur mortorët e fushatës zgjedhore, duke nisur takimet me bazën e tyre. Ndërkohë që i vetmi që po qëndron në llogore, duke mos hedhur asnjë hap është zoti Basha dhe PD e drejtuar prej tij.
Kjo e fundit është në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, por ndryshe nga paritet e tjera që përbëjnë kampin opozitar, nuk është parë në bazë, vendim ky që ka shkaktuar shumë ankth në radhët e aleatëve të Bashës. Mirëpo, heshtja e Bashës, ka bërë që aleatët e Partisë Demokratike të shtojnë presionet ndaj liderit demokrat sa i takon strategjisë se si do të hyjnë në zgjedhje e 25 prillit.
Mediu shton presionet
Ka qenë kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili gjatë një takim me koordinatorët në Kavajë e teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor çdo mënyrë për të manipuluar procesin zgjedhor, u shpreh se ka ardhur koha që PR dhe opozita të bashkëpunojnë në çdo qendër votimi për të mbrojtur votat.
“Është e domosdoshme, që Partia Republikane, së bashku me Partinë Demokratike dhe partitë e tjera të opozitës, të bashkëpunojnë në çdo qendër votimi. Së pari: Për të ndaluar shkatërrimin e qëllimshëm të listës së zgjedhësve, që po bën qeveria, me zhvendosje të paligjshme të emrave dhe adresave. Së dyti: Identifikimin e votuesve dhe mundësimin e votimit të tyre. Së treti: Mbrojtjen e votës së tyre dhe ndalimin e blerjes, manipulimit të votës dhe intimidimit të votuesve. Opozita ka detyrimin, që në rrugën e saj të një qeverisje dhe Shqipërie Europiane, të bashkojë shqiptarët kudo që janë, në Shqipëri dhe në çdo vend ku ata jetojnë. Zgjedhjet e 25 Prillit nuk janë thjesht zgjedhje politike, por beteja kombëtare e shqiptarëve, për t’u rikthyer në rrugën Europiane, dhe për t’i dhënë fund një regjimi të korruptuar dhe antikombëtar, që po shkatërron, jo vetëm Shqipërinë, por edhe autoritetin e shqiptarëve në rajonin e Ballkanit”, – deklaroi ai.
Po ashtu, zoti Mediu ngriti alarmim se qeveria po përdor kriminelët për të prononcuar fitoren e zgjedhjeve të 25 prilli. “Rama po përdor çdo mënyrë për të manipuluar procesin zgjedhor. Në bashkëpunim me struktura korruptive, kriminale, përdorimin dhe presionin mbi administratën shtetërore, ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, në kundërshtim me rekomandimin e BE, dhe tani në emër të pandemisë COVID-19, kërkon të mos lejojë partitë politike, të kryejnë aktivitetin e tyre elektoral. Çdo gjë po shkon drejt një marrëzie totale, vetëm për të grabitur pushtetin”, nënvizoi Mediu.
PD e distancuar tërësisht nga lëvizjet e LSI
Por teksa aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike kanë shtuar presionet ndaj kryedemokratit Lulim Basha, duke i kërkuar llogari mbi strategjinë se si opozita do të shkojë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, vetë PD është distancuar tërësisht jo vetëm nga ta, por edhe nga lëvizjet e LSI. Kjo e fundit përveçse takimeve me bazën, ka hyrë në proces zgjedhor, teksa dje zgjodhi kryetarin e ri të partisë, e cila do të jetë sërish Monika Kryemadhi. Mirëpo Partia Demokratike është distancuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pasi nga njëra anë i ka mbyllur derën për ta futur në listë të përbashkët, duke qenë se janë hequr koalicionet parazgjedhore, ndërsa nga ana tjetër as nuk ka folur, komentuar apo përshëndetur procesin zgjedhor. Pra, të gjitha katro tregojnë se PD e distancuar tërësisht nga lëvizjet e LSI.
Diskutime rreth kësaj post