Në përfundim të mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ripërsëriti akuzat e opozita ndaj Kryeministrit Edi Rama, që sipas saj, po bën avokatin e drogës.
Basha tha se droga, dekriminalizimi dhe zgjedhjet e lira janë pengesat e vërteta të integrimit të Shqipërisë.
“Zgjedhjet e lira dhe zbatimi i dekriminalizimit janë pengesat për hapjen e negociatave”, tha Basha.
Kreu i opozitës foli për një betejë ekzistenciale kundër atij që e quajti “krim i veshur me pushtet” dhe tha se Partia Demokratike nuk është e vetme në këtë betejë. Sipas tij, aleanca e opozitës po zgjerohet çdo ditë e më shumë, madje tha Basha, edhe me pjesëtarë të Partisë Socialiste dhe të mazhorancës që janë në Parlament.
Por kur tha këtë, Basha nuk përmendi emra.
“PD dhe unë si kryetar i saj me një aleancë vlerash që sa vjen e shtohet edhe me faktorë politikë brenda vetë Partisë Socialiste, t’i japim zgjidhje duke larguar problemin për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes dekriminalizimit dhe një reforme të vërtetë zgjedhore. Brenda PS apo brenda mazhorancës ka zëra që e kanë kuptuar se me edi ramën nuk mund të ecet më përpara”, u shpreh Basha.
Kryetari i PD-së tha gjithashtu se Edi Rama po manipulon opinionin publik dhe qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar.
Diskutime rreth kësaj post