Ish-deputeti Halit Valteri i cili së fundmi kandidoi nën siglën e PS, thotë se Basha ka investuar dhe po përgatitet për ta vrarë babain e tij politik, pra Berishën.
Deputeti i zgjedhur nga listat e PD-së në zgjedhjet e 2017-tës, i cili u fut në Kuvend pas djegies së mandateve, shprehet se do të ketë dhe deputetë të tjerë që e shkuara e tyre do t’i penalizojë dhe nuk do mund të futen në Kuvend.
Sa i takon Bashës, Valteri tha se me largimin e tij nga kreu i partisë, PD e ka të sigurt rikthimin në pushtet, edhe sikur të drejtohet nga roja i institucionit. Për LSI-në deklaroi se është kanceri i vendit.
Deklarata e Valterit:
“Kjo çështje është më e gjerë sa ato që thuhen në deklarata, kur shpallet një person non grata nuk bëhet se do apo jo qeveria. Nuk është ndonjë qamet i madh nëse është apo jo Berisha në Kuvend, kulti i individit ka vdekur që me Enver Hoxhën.
Unë mendoj se Berisha nuk është lider historik i PD, është investim i fortë i zotit Basha për ta hequr nga skena politike, është vrasja politike që po i bën babait të tij. Ka deputetë që nuk mund ta marrin dot mandatin për shkak të së shkuarës së tyre, do të kemi supriza gjatë muajit shtator.
Mandati i tretë i mazhorancës është ai që i ka besuar qytetari shqiptar, është më shumë përgjegjësi dhe punë, punë, punë për të arritur mandatin e katërt. PD nuk ka asnjë betejë tjetër veç asaj të lidershipit, është kthyer në pronë të kunatit dhe biznesmenëve pranë Lulzim Bashës.
Edhe rojën e PD të vësh si kryetar, atëherë ajo parti do të vijë në pushtet, Unë LSI e quaj kancer të vendit, uroj që kurrë të mos vijë në pushtet kjo korporatë që vjedh çdo ditë shqiptarët”, tha Valteri.
Diskutime rreth kësaj post