Arrestimet dhe hetimet e ditëve të fundit në nivele të larta ka shtyrë firmosjen e marrëveshjes politike mes PD dhe LSI. Gjithçka ka mbetur pezull pas lëvizjeve të fundit të Prokurorisë, të cilat kanë krijuar nervozizëm në kampin opozitar.
Demokratët kanë shtyrë përcaktimin e modaliteteve të fundit të marrëveshjes politike dhe firmosjen e saj, për shkak se një gjë e tillë mund të interpretohej si një shenjë frike dhe bashkim kundër veprimit të organit të akuzës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vendosur të qëndrojë indiferent ndaj arrestimeve dhe hetimeve të organit të akuzës, pas emërimit të prokurores së përkohshme Arta Marku. Basha ka evituar gjithashtu çdo koment edhe sa i takon ish-drejtorit të PD dhe ish-vartësit të tij, Andi Toma, dikur të akuzuar që të dy për rrugën Durrës-Kukës. Po ashtu, demokratët mund të shtynë protestat deri në qershor, për të evituar çdo akuzë në adresë të tyre, nëse Shqipëria dështon me çeljen e negociatave.
Ndërkaq, që pas zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit, të cilat zyrtarizuan daljen në opozitë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kjo e fundit insistoi duke i kërkuar disa herë Partisë Demokratike për t’u bashkuar në një front opozitar kundër qeverisë ‘Rama 2’. Fillimisht Partia Demokratike u gjend përballë një sikleti politik, pasi gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, të gjitha energjitë i përqendroi në sulmet ndaj LSI.
Megjithatë, kjo ndjesi e pakëndshme u kapërcye shpejt, ndërsa të dy partitë organizuan protestën e 27 janarit, e cila ishte edhe testi i parë i aleancës. Dy partitë kryesore në opozitë, për herë të parë, bashkuan forcat në sheshin para Kryeministrisë, ndërsa e konsideruan protestën si më pasiven që është mbajtur ndonjëherë.
Kërkesa e Kryemadhit
Disa ditë para protestës së 27 Janarit, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, pas një takimi me kryetarin e PD, Lulzim Basha, pohoi se PD dhe LSI po shkonin drejt firmosjes së një marrëveshje politike.
“Takimi me z. Basha finalizoi dhe kornizoi një bashkëpunim të mëtejshëm të LSI në të ardhmen. Fronti opozitar tashmë do të marrë një dimension të ri politik, i cili do të konkretizohet me një bashkëpunim politik me marrëveshje të qarta politike me PD dhe do të ndërtojmë bashkërisht një platformë të qartë politike për sa i përket të ardhmes. Kjo përfshin protestat dhe të gjitha axhendën tonë politike në të ardhmen”, ka pohuar zonja Kryemadhi.
Kjo deklaratë u interpretua si një aleancë edhe elektorale. Megjithatë, në ditët në vijim, përfaqësues të Partisë Demokratike thanë se aleanca me LSI nuk ishte elektorale. Një gjë të tillë e kanë theksuar edhe aleatët e PD, të cilët duket se janë xhelozuar nga afrimi i LSI. “Ne nuk injorojmë asnjë qytetar, qoftë dhe socialist, jo më të injorojmë një parti politike. Pra nuk flasim për koalicion elektoral me LSI, por për fron opozitar”, ka pohuar kreu i PR, Fatmir Mediu
Diskutime rreth kësaj post